
E hëna e 8 nëntorit nuk filloi aspak mirë për 50 pasagjerët e linjës Tiranë-Athinë. As bestytnitë nuk ishin në anën e duhur, detaji i parë që kujton Naileta Goxhaj është ky.
“Ishte një vajzë nga Tirana dhe i tregonte të ëmës se kishte parë një ëndërr me shoferin e një autobusi me bluzë lejla dhe sikur kishte rënë në greminë. Kur hipën në autobus vajza tha: Mami ky është shoferi që pash unë në ëndërr”, tregon Naileta.
Ajo ndodhet ende e shtruar në spitalin e Fierit. Nuk do të ketë pasoja të përhershme për të. E sigurt është që i përhershëm do të jetë vetëm tmerri i përjetuar.
Todi Prifti, një tjetër pasagjer, nuk kishte dëgjuar për ëndrrën e vajzës së vogël.
Mbase mund të kishte përfunduar disi më mirë sikur të mos mjaftonin lëkundjet, shoferi grek në drejtim të 50 jetëve që i drejtoheshin vendit fqinj kishte dhe hutime të tjera.
“Një grua u ulë tek shoferi dhe filloi të bisedonte me të. Ndërkohë një tjetër grua i foli duke i thënë kësaj gruas që mos t’i tëhiqte vëmendjen shoferit. Ky i fundit ktheu kokën për të parë kush foli dhe i iku makina nga kontrolli”, tregon Todi.
Në këtë çast në 19:55 duke u larguar nga Fratari, autobusi doli nga rruga dhe iu drejtua rrëpirës.
“Në palosjen e parë u mbajta. Në të dytën si gjithë të tjërët”, tregon Todi.
Naileta Goxhaj ishte më pranë shoferit dhe kishte diçka më shumë se pamjet kaotike që rrënqethnin mendimet gjatë kohës që autobusi bëri 5 rrotullimet e tij.
“Ulërimat ishin në maj. Thamë se ky ishte fundi kur ishim në autobus. Ai bënte rrotullimet dhe duke ikur të gjithë ulërinin”, shprehet Naileta.
Ky ishte rezultati paraprak i një udhëtimi si shumë të përditshëm, që nuk kishte asgjë të pazakontë.
Gjatë kohës që autobusi rrotullohej ende nëpër faqen e kodrës duke u konsumuar fatkeqësia që do të merrte 9 jetë njerëzish dhe një traumë të pashlyeshme për 41 të tjerët, lajmi u shpërnda shumë shpejt dhe ndërkohë që të gjithë po niseshin drejt fshatit Ziaj, autobusi ndalon rrotullimet fatale.
“Kur bëri ndalimin, të gjithë ishin në fund. Ca i kishin zënë sedilejt. Ca ishin përplasur me hekurat”, tregoi ajo.
Në momentin që mjeti ndaloi Naileta dhe Todi, pavarësisht dhimbjeve në trup, ishin të ndërgjegjshëm.
“Ju lutem thash unë, nuk mund të dalë, vetëm më tërhiqni nga këmbët”, tregon Naileta.
“Na nxorrën pesë veta”, shton Todi.
Para se të fillojë operacioni i shpëtimit, që do të zgjasë dhe disa orë të tjera torturuese, ato pak sekonda rrotullisje kanë shënjuar jetët e shumë njerëzve, burrave, grave, fëmijëve, të moshuarve e madje familjeve të tëra.
“Ishim njerëz hallexhinj dhe iknim për hall. Kurbeti na bëri të zinj kur ikëm dhe 8 nëntori na nxiu më shumë”, shprehet Naileta.
Top Channel