Rritja e pagave, në 2011 më pak

14/11/2010 19:30

Buxhetorët do të kenë vitin e ardhshëm një shtesë më të vogël page se sa ajo që morën në maj të këtij viti.

Përkundër deklaratave të qeverisë se do të vazhdojë politikën e saj të rritjes së pagave, fondi që ajo ka parashikuar për këtë qëllim në buxhetin e vitit të ardhshëm është 38 përqind më i ulët se ai i këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, fondi për rritjen e pagave për vitit 2011 është 1.495 miliardë lekë nga 2.36 miliardë që ishte në vitin 2010. Kjo do të thotë se mesatarisht buxhetorët do të marrin në vitin 2011 një shtesë page 38 për qind më të ulët se sa ajo që morën në maj të këtij viti.

Kjo për të njëjtin numër punonjësish, pasi qeveria ka vendosur që ndryshe nga herët e tjera, ta mbajë të pandryshuar numrin e të punësuarve në administratë.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e ardhshëm, qeveria do të shpenzojë për paga, së bashku me shtesën e parashikuar, një fond prej rreth 600 milionë dollarë ose 4.5 përqind e produkti kombëtar, nga 4.8 që ishte shifra këtë vit.

Vetë Ministria e Financave pranon në relacionin e projektbuxhetit, se rritja e pagave këtë vit do të jetë më e ulët, duke e cilësuar atë si një politikë të kujdesshme. Sipas ministrisë, kjo politikë do të bazohet në rritje selektive të pagave për disa sektorë prioritarë si arsimi dhe shëndetësia, ndërsa për punonjësit në sektorët e tjerë të administratës rritja e pagave do të jetë thjesht indeksim, aq sa për të mbuluar rritjen zyrtare të çmimeve.

Top Channel