Gjykata: 30 ditë burg vrasësit të policit

13/11/2010 20:05

Nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e punonjësit të policisë Pajtim Alistafa, gjykata e Tiranës la në paraburgim për 30 ditë Agim Hajdinin, derisa ekspertët të dorëzojnë aktekspertimin e vendit të ngjarjes, ku nënkomisari humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Faktikisht këtë masë sigurie për të pandehurin e kërkoi vetë prokurori i cështjes Gjergji Tako, i cili i tha gjykatës se duhet pritur një version përfundimtar që do të saktësojë se me cfarë shpejtësie po e drejtonte mjetin i akuzuari, si ishte vendosur postoblloku dhe a është tërësisht gabimi i shoferit në këtë ngjarje.

Për t’u dhënë përgjigjje këtyre pyetjeve, Policia e Shtetit ka përfshirë në hetime tre ekspertë të pavarur autoteknikë, të cilët do të japin versionin përfundimtar në bazë të të cilit gjykata do të vendosë pas një muaji për fatin e të arrestuarit.

Punësimi i tre ekspertëve është bërë për të dhënë një version të paanashëm të gjykimit mbi vendngjarjen, pasi nëse ky ekspertim do të bëhej vetëm nga policia, ai do të vlerësohej si i paragjykuar para togave të zeza, sepse viktima është nga radhët e policisë.

Djali i vetëm i familjes Alistafa, Pajtimi, u shpall dëshmor i Atdheut këtë të enjte, ndërkohë që rënia e tij në krye të detyrës ka sjellë një sërë pyetjesh për mënyrën si ngrihen postoblloqet përgjatë akseve nacionale në vend.

Por Policia e Shtetit argumenton se vdekja tragjike e 29 vjecarit ka ndodhur gjatë një postoblloku të mirëorganizuar përgjatë autostradës, në një ambjent të ndricuar dhe me sinjalistikën e nevojshme, ndërsa automjeti që drejtohej nga Agim Hajdini, duke qarkulluar tej normave të lejuara, ka marrë përpara konikët, tabelën “ndal policia” e më pas edhe efektivin e policisë.

Nga ana tjetër, përpara gjykatës, prokuroria, duke iu referuar të dhënave mbi vendin ku ndodhi aksidenti ka nënvizuar mbishpejtësinë me të cilën udhëtonte i akuzuari dhe ka shtuar gjithashtu se nënkomisari ishte duke vendosur konikët dhe se ai nuk kishte veshje fosforishente, c’ka hedh dyshime për rrezen e shikimit të drejtusit të mjetit. Këtë qendrim mbajti në fakt edhe avokati mbrojtës i të pandehurit.

“Në rastin tonë nuk ka qenë respektim i kritereve, pasi në momentin e aksidentit nuk ka pasur jelekun fosforeshent, gjë që bën të pamundur reagimin në një distancë të afërt”, ka deklaruar ai.

Mësohet se automjeti që drejtonte Hajdini ishte duke lëvizur me shpejtësi rreth 120 kilometra në orë dhe shoferi nuk ishte i dehur, ndërsa postoblloku ku mbeti i vrarë Alistafa ishte pikërisht pjesë e task forcës për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshikimin e shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA