Vizat, Marku: U hoq një kufizim hapësinor

11/11/2010 21:40

Deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku e ka vlerësuar si një arritje shumë të rëndësishme heqjen e regjimit të vizave mes vendeve të BE-së dhe Shqipërisë.

“E rëndësishme është se është hequr një kufizim hapësinor, që ka qenë edhe një problem psikologjik tek shqiptarët. Shqiptarët tani ndihen në një përmasë hapësinore dhe evropianë”, ka deklaruar Marku.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Marku është shprehur i bindur se tani qytetarët shqiptarë do të trajtohen me dinjitet në kufijtë e vendeve të tjera.

“Fakti që qytetarët evropianë lëvizin lirshëm nga njëri vend në tjetrin dhe fakti që shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë ishte shumë i rëndë. Tani ata nuk trajtohen më si qytetarë të tillë”, është shprehur Marku.

Më tej deputeti demokrat ka akuzuar Partinë Socialiste, e cila sipas tij nuk ka treguar përgjegjshmërinë e duhur në këto momente kaq të rëndësishme për Shqipërinë.

“Kjo periudhë 1 vjecare ka qenë më e rëndësishmja për heqjen e vizave. Kur PS ishte në grevë, ekspertët e BE ishin në Tiranë për të bërë monitorime. Një subjekt politik duhet të tregojë përgjegjësi. Nuk them se opozita ka pasur si qëllim pengimin e heqjes së vizave, por nuk e ka treguar përgjegjësinë e saj”, ka shtuar Marku.

Top Channel