Moti i keq, përmbytje në të gjithë vendin

11/11/2010 09:45

Përkeqësohet situata në disa zona të vendit, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Në Shkodër është mbledhur shtabi i emergjencës pas përmytjes së disa lagjeve të qytetit. (UPDATE)

Uji ka përmbytur zonën e Baçallëkut, Bërdicës dhe Ajasëmit.

Si pasojë e vërshimit të ujit, aksi Shkodër-Tiranë tek Harku i Bërdicës është i pakalueshëm.

Probleme janë hasur edhe në komunën Gur i Zi, në fshatrat Kanicë e Vupalaj.

Aksi rrugor Malësi e Madhe – Hani i Hotit vazhdon të jetë i bllokuar.

Nën ujë është edhe fshati Zejmen në Lezhë, ndërkohë që bllokohet aksi rrugor Milot-Lezhë.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në rrethin e Pukës, ndërsa komuna Iballë është pa energji elektrike.

Gjithashtu është bllokuar lëvizja e automjeteve në autostradën Tiranë-Durrës për shkak të motit të përkeqësuar. Në aksin dytësor Vorë – Marikaj trafiku është i rënduar.

Rrëshkitja e dheut ka bllokuar edhe rrugën nacionale Klos-Tiranë. Dherat kanë mbuluar totalisht rrugën duke penguar qarkullimin.

Rrëshkitje të dheut ka pasur edhe më në veri ku është bllokuar për rreth dy orë rruga Bajram Curri – Qafë Mali.

Probleme për shkak të rrëshkitjeve të dherave edhe në aksin Kukës –Shishtavec si dhe në komunat Zapod, Kalis dhe Arren.

Për shkak të motit të keq katër fshatra në Bulqizë kanë mbetur pa energji elektrike.

Përmbyten disa banesa në fushë Krujë. Uji vërshon në rrugën kombëtare duke bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit.

Nga uji janë përmbytur edhe dhjetra biznese të përpunimit të drurit në Nikel nga vërshimet e ujit.

Top Channel