Kur Pierre Mirel, drejtor për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, dorëzoi në Tiranë opinionin e Komisionit dhe raportin e gjatë analitik, një ditë më parë qeveritë europiane kishin marrë vendim për heqjen e vizave me Shqipërinë. Dy lajme, një i mirë dhe një tjetër më pak i mirë, që zoti Mirel shtjellon në këtë intervistë.
TCH: A do ta kishte marrë Shqipëria statusin e saj të vendit kandidat nëse do të kishte zgjidhur krizën politike?
Mirel: Në kriteret e anëtarësimit që janë përcaktuar në Kopenhagen më 1993-shin, një nga kriteret, kriter i rëndësishëm, është stabiliteti dhe mirëfunksionimi i institucioneve demokratike. Ndër institucionet demokratike, një nga institucionet më të rëndësishme është Parlamenti. Opinioni ynë, dhe mendoj se qytetarët e Shqipërisë nuk habiten nga ai, është se Parlamenti nuk funksionon siç duhet. Ai nuk funksionon siç duhet sepse që prej zgjedhjeve pati bojkot dhe vështirësi më pas. Por, ai nuk funksionon siç duhet për një arsye tjetër, që lidhet me funksionimin e strukturave dhe dua të këmbëngul në këtë pikë: pavarësisht situatës paszgjedhore, ne mendojmë që rregullat, procedurat për funksionimin e Parlamentit nuk respektohen dhe Parlamenti kësisoj nuk ushtron rolin e tij të vërtetë kontrollues mbi qeverinë.
TCH: Pikërisht në këtë pikë, ju keni përdorur termin “keqpërdorur”. Pra kryetarja e Kuvendit, thoni ju, ka keqpërdorur fuksionimin, procedurat e Parlamentit?
Mirel: Në cdo Parlament drejtuesi i seancës, kryetari apo kryetarja e Kuvendit, duhet, sipas nesh, sic ne e shohim në Parlamentet e ndryshme të shteteve anëtare apo në Parlamentin europian në Bruksel, të ketë një sjellje, një qëndrim jo partizan! Pra, të jetë mbi partitë, për të bërë të mundur që Parlamenti të mund të debatojë mbi të gjitha cështjet e rëndësishme, qoftë kjo mënyra sesi përcaktohet rendi i ditës, si realizohen seancat e pyetje-përgjigjeve, elementë këto të rëndësishëm për të qenë përmbi politikën partizane.
TCH: Zoti drejtor, në raport lexojmë se qeveria ka pasur mungesë gatishmërie për të pranuar propozimet e Partisë Socialiste që do të conin në një zgjidhje të ngërcit politik. Cfarë duhet të kishte bërë konkretisht qeveria?
Mirel: Besoj se ajo që ne themi, dhe sidomos ajo që komisioneri Fyle tha të martën në Bruksel gjatë konferencës së tij për shtyp, është se i takon udhëheqësve të të gjitha partive që të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje. Dhe nga ana tjetër, vetë Parlamenti Europian në korrik, në rezolutën e tij, kishte provuar të formulonte një zgjidhje, të cilën e përsëriti javën e shkuar në Tiranë, duke provuar ta promovojë në komitetin parlamentar miks Parlament Europian-Parlament shqiptar, por që deri tani nuk ia ka dalë. Por le të shpresojmë.
TCH: Pikërisht pra, amandamenti i eurodeputetes Pack, do të ishte një plotësim i propozimeve të Parlamentit Europian?
Mirel: Është një propozim interesant, sepse vjen nga një anëtare e Partive Popullore Evropiane.
Në këtë takim, Doris Pack, aleate historike e kryeministrit Berisha dhe mike e afërt e ministrit Pollo, propozoi qe komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit te nisë nga puna me hetimin e kutive me materialet zgjedhore, ndërsa hetimi për kutitë me fletët e votimit të bëhet pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Socialistet e pranuan menjëherë këtë amendament, ndërsa demokratët i thanë jo.
TCH: Në raportin aktual thuhet që në Shqipëri nuk ka problem me ligjet, por me aplikimin e tyre. Cfarë mund të na thoni për këtë?
Mirel: Besoj se opinioni ynë e thotë qartë se kuadri ligjor që është miratuar deri tani, është i mirë, mjaftueshmërisht pozitiv. Kuadër i miratuar përgjatë viteve të shkuara dhe jo vetëm në pak muajt e kaluar. Çështja tani, çështje e rëndësishme, është zbatimi i këtij kuadri ligjor. Dhe vecanërisht në dy fusha, ku ne shpresojmë dicka konkrete në muajt që vijnë, që janë lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Ka një frazë shumë të qartë në opinonin tonë ku ajo që ne presim, janë rezultatet konkrete, në muajt dhe vitet që vijnë.
TCH: Pra, mund të themi se Shqipëria nuk ka avancuar mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit?
Mirel: Në zbatimin e kuadrit ligjor. Njësoj si Mali i Zi, sepse ne kemi të njëjtin formulim edhe për Malin e Zi.
Top Channel