I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi “mësyn” pa lajmëruar, takim me Kurtin në zyrë, zbulohet arsyeja
Sa herë që në Kosovë pritet të mbahen zgjedhjet, partitë politike janë ato që bëjnë lëvizjet më të mëdha. Aderimet e politikanëve, ikjet nga njëra në tjetrën parti, është diçka që ndodh në Kosovë që prej pasluftës.
Ditë më parë Aleanca Kosova e Re, që drejtohet nga Behxhet Pacolli, arriti që nën një çati t’i sjellë dy partitë e pensionistëve të Kosovës.
Ndërsa, të enjten në Vetëvendosje kaluan së fundmi 5 subjekte politike.
Në AAK shkuan edhe deputetët e pavarur nga legjislacioni i fundit, Driton Tali e Naim Rrustemi.
Kurse, lista më e përfolur “LDK–Ibrahim Rugova” të mërkurën nënshkroi koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt, ndonëse më së shumti pritej që djali i Ibrahim Rugovës, Uka, të ishte në listën e ish partisë së të atit, në LDK.
Ndërsa, as në këtë të fundit nuk kanë munguar kalimet e personaliteteve të ndryshme. Madje, listave të partive politike si asnjëherë më parë u janë bashkuar edhe gazetarët.
As partia e Hashim Thaçit nuk ka heshtur kur bëhet fjalë për, siç thuhet, prurje të energjive të reja.
Pak a shumë, këto gjëra i dëgjojnë çdo ditë qytetarët e Kosovës. Në të tilla raste, në konferencat e partive politike zakonisht përdoret shprehja pothuajse e njëjtë: “Ne po fuqizohemi, në të mirë të Kosovës”.
Por, analisti politik Halil Matoshi nuk i beson kësaj retorike. Ai thotë se problem i kësaj është mosprofilizimi i partive politike.
“Nuk është krijuar e majta, e djathta, ose qendra. Programet e të gjitha partive janë të ngjashme dhe kalimet nga një bllok tek tjetri bëhen për të mbetur në skenën politike dhe jo për të fuqizuar shtetin dhe politikën”, deklaron Matoshi.
Sidoqoftë, e gjithë kjo që po ndodh në Kosovë ditëve të fundit mund të shpjegohet edhe me fjalorin e merkatos së futbollit.
Ndonëse afati kalimtar për futbollistët, por edhe i huazimeve, zakonisht ndodh pas përfundimit të çdo sezoni futbollistik, në politikën kosovare kalimet e politikanëve nga njëra në tjetrën parti ndodh sa herë që pritet të votohet.
Top Channel