Haxhinasto: Integrimi, proçes mbarëkombëtar

11/11/2010 22:55

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, Ministri i Jashtëm, Edmon Haxhinasto vlerësoi se proçesi i integrimit të vendit nuk mund të privatizohet nga asnjë palë dhe se meritat dhe përgjegjësitë ndahen nga të gjitha palët, pasi sipas tij, ky proçes është një proçes mbarëkombëtar.

“Proçesi integrimit është mbarëkombëtar jo partiak, të gjitha palët, të gjitha partitë është e domosdoshme të angazhohen në përgjegjësi politike për të realizuar reformat, për të realizuar proçesin e integrimit, proçes i performancës së vendit, arritjes së standarteve. Kur vjen puna për të vlerësuar standartet natyrshëm shikojmë përgjegjësitë përkatëse. Nga ky rezultat shikojmë se realizimi i reformave është në themel, ligjet dhe zbatimi i tyre. Miratimi i ligjeve bëhet në parlament dhe jo nga rruga me greva urie. Ai që nuk e kryen këtë përgjegjësi institucionale dhe kushtetuese. Pavarësisht qendrimeve të mbajtura nga opozita standartet për vizat u arritën”, u shpreh ministri, Haxhinasto.

Ndërkohë në fjalën e tij deputeti socialist, Ditmir Bushati u shpreh se Shqipëria është rasti i parë kur BE i refuzon kërkesën për statusin kandidat një vendi. Zoti Bushati citoi disa rreshta nga raporti ku sipas tij përmendet abuzimi me detyrën në Kuvendin e Shqipërisë i kryetares Jozefina Topalli dhe ministrat e kabinetit, të cilët shtoi Bushati përmenden në çdo raport të komunitetit ndërkombëtar për mosparaqitjen e tyre para drejtësisë.

“Shqipëria është rasti i parë që BE refuzon dhënien e statusit kandidat. Vendi ndodhet në një rrethrrotullim gjigant. Qeveria nuk pranon ofertën e PS-së, kryetarja e Kuvendit abuzoi me detyrën. 20 diplomatë janë të papaguar, janë dy ministra që përmenden në çdo raport të komunitetit ndërkombëtar për mosparaqitjen para drejtësisë. Mua do të më vinte turp të isha në qeveri me ta”, deklaroi deputetit, bushati.

Pas fjalës së deputetit socialist replikoi Ministri i Jashtëm Haxhinasto, i cili tha se raporti citon edhe progreset e arritura dhe se përkufizimi që vendi ndodhet në një rrethrrotullim nuk është e vërtetë dhe është shumë keqdashës. Zoti Haxhinasto mohoi akuzat e Bushatit për mospagesën e 20 diplomatëve. Përfaqësuesi i LSI-së tha se ka nevojë për përmirësime, të cilat sipas tij nuk arrihen vetëm nga mazhoranca. Haxhinasto përmendi reformën në gjyqësor, e cila sipas tij është përgjegjësi e politikës.

Top Channel