
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se refuzimi i Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë si vend kandidat, është dramatik, ndërsa theksoi se vendi humbi edhe një tjetër tren për të mbërritur në Bashkimin Evropian.
Në një konferencë për shtyp, Rama bëri thirrje që mazhoranca e kryeministri Sali Berisha duhet të lexojnë ofertën e socialistëve dhe ta pranojnë në emër të zgjidhjes së krizës përmes transparencës.
“Të gjejmë menjëherë zgjidhjen për të cilën opozita, Partia Socialiste, unë, jemi investuar duke ofruar një zgjidhje që bazohet te leximi gërmë për gërmë i rezolutës së Parlamentit Evropian”, tha Rama.
Shefi socialist vlerësoi se PS ndan të njëjtën pikëpamje me opinionin e KE-së lidhur me mosfunksionimin e parlamentit shqiptar.
Rama përmendi edhe nisjen e një krize tjetër për shkak të një përpjekjeje të rrezikshme të qeverisë dhe Berishës për të kapur rob bashkitë dhe komunat e opozitës.
“Ne jemi në përgatitje për një përshkallëzim të protestash të papara me parë, si shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve të cilëve u detyrohemi shërbime që Berisha nuk mund t’ua kufizojë duke marrë para nga pushteti lokal”, tha Rama.
Top Channel