Mustafaj: Integrimi kalon nga Tirana

10/11/2010 00:15

I ftuar në “Top Show” për të folur në lidhje me proçesin integrues të Shqipërisë dhe rajonit, në ditën kur vendit tonë iu mohua statusi i të qenit kandidat për në BE, ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj u shpreh se integrimi europian realizohet në Shqipëri dhe reflektohet në Bruksel.

Zoti Mustafaj bëri një krahasim të rrugës europiane mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe sipas tij krimi i organizuar dhe korrupsioni janë në të njëjtët nivele në të dyja vendet, për të mos thënë, vazhdoi ai, se në fqinjin tonë verior në përmasa edhe më të mëdha, por ajo që penalizoi vendin tonë në marrjen e statusit sipas tij, ishte situata politike.

Pyetjes se sa ndikon përkatësia fetare në proçeset integruese në BE, zoti Mustafaj iu përgjigj se komuniteti europian nuk është ndërtuar mbi baza të përkatësisë fetare.

“Europa nuk është themeluar si një Europë e mbështetur në një përkatësi fetare. Ne e kemi fajin vetë. Në mënyrë absolutë proçesi i integrimit është një proçes që realizohet në Shqipëri dhe refletohet në Bruksel”, tha zoti Mustafaj.

Më tej duke analizuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ndikimt të Athinës në rrugën europiane të Shqipërisë, Mustafaj tha se diplomacia greke e ka shfrytëzuar në maksimum veton e saj, çka ka krijuar edhe përshtypjen se rruga e integrimit kalon nga Athina. Por vendimet, sipas ish-ministrit të jashtëm merren gjithmonë me konsensus në BE.

Top Channel