Dhjetori, fluks biletash me destinacion Europën

10/11/2010 08:00

Menjëherë pas dhënies së vendimit të shumëpritur të liberalizimit të vizave për shqiptarët, durrsakët u janë drejtuar agjencive të udhëtimit për të prerë biletat e për të realizuar ëndrrën europiane dhe bashkimin me të afërmit që ndodhen matanë kufijve shtetërorë.

Problem mbeten çmimet e larta të biletave të udhëtimit, nga më të shtrenjtat jo vetëm në rajon, por edhe në krejt kontinentin. Pas vendimit unanim të marrë në Bruksel nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së vendeve anëtare të Bashkimit Europian për lëvizjen pa viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, në agjencitë e ndryshme të udhëtimeve janë vënë re interesimet e para për blerjen e biletave pas datës 15 dhjetor.

Edmond Basha, menaxher i një prej agjencive më të mëdha të udhëtimeve në Durrës e Tiranë, thotë se një ditë pas marrjes së vendimit kanë nisur dhe prerjet e para të biletave, ndërsa prenotimet kishin nisur edhe më parë, që në momentin kur Parlamenti Europian hapi dritën jeshile për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Italia, Gjermania, Belgjika e Franca janë destinacionet e atyre që deri më tani kanë prerë biletat për të udhëtuar pas 15 dhjetorit. Kështu, destinacioni i qytetarëve është i ndryshëm, jo vetëm në vendet fqinje ku kanë familjarë dhe të afërm që kanë emigruar prej vitesh, por edhe në kryeqytete të tjera europiane me dëshirën e vizitave turistike në to dhe kryesisht të kalimit të festave të fundvitit, që parashikohet të ndryshojnë drejtimin e lëvizjeve në pikat kufitare.

Në portin më të madh të vendit gjithashtu pritet që të merren masa që në fillim të muajit të ardhshëm për të përballuar fluksin në dalje, ndërkohë që parashikohet një rënie e numrit të emigrantëve që do të mbërrijnë në vend për të festuar festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Shumë prej tyre do të “detyrohen” të qëndrojnë në vendet europiane ku jetojnë e punojnë për të pritur familjarët dhe të afërmit e tjerë nga Shqipëria.

Kompanitë e lundrimit do të shtojnë numrin e trageteve në linjat me Italinë, si dhe numrin e prekjeve, ndërkohë që më 15 nëntor Drejtoria e Përgjithshme Detare do të nisë kontrollet në tragete për të mundësuar një udhëtim komod dhe brenda standardeve të kërkuara të shërbimit dhe higjienës për udhëtarët.

Edmond Basha thotë për gazetën “Shqip” se të gjitha prerjet e biletave kanë qenë vajtje-ardhje dhe nga njerëz që thjesht duan të prekin ëndrrën e realizuar, duke lënë pas ankthin e radhëve dhe dokumenteve pafund që kërkoheshin më parë për marrjen e një vize në pasaportë.

Në agjenci të tjera lëvizjet nuk kanë nisur ende. Tragjedia e autobusit të linjës Tiranë-Athinë e ka zbehur atmosferën festive dhe tërhequr disi qytetarët, që të kontaktuar thonë se patjetër që do e shijojnë lirinë e kufijve të rrëzuar. Qytetarë të ndryshëm shprehen dhe se çmimet e larta për biletat që ofrojnë kompanitë e lundrimit dhe të fluturimit do t’i mbajnë larg shijimit të tokës së ëndërruar europiane.

“Kam gjashtë vjet që nuk e shoh vajzën me sy dhe shyqyr që erdhi kjo ditë, po çmimet e biletave janë të larta. Për mua nuk janë të përballueshme. Aq më tepër që duhet të kem dhe euro me vete. Do të pres edhe ca për të shkuar te vajza në Greqi”, thotë Hatixhja, ndërsa del e dëshpëruar nga një prej agjencive detare që ndodhet në afërsi të Terminalit të Trageteve të portit. Punonjësja e agjencisë pohon, padashur të japë emrin për shkak dhe të marrëdhënies së punës me kompanitë e udhëtimit, se çmimet e biletave të trageteve dhe avionëve janë relativisht të larta.

Përtej këtij shqetësimi, agjentët turistikë dhe ata të udhëtimeve deklarojnë se në ditët në vazhdim, e kryesisht në fillim të muajit të ardhshëm, pritet një fluks në rritje e atyre që presin biletat për të shijuar lirinë e të udhëtuarit vetëm përmes pasaportës biometrike në zonën Shengen.

Top Channel