Arkitektët: Të ruhet piramida

10/11/2010 20:35

Shoqata e arkitektëve, përmes një rezolute, është shprehur në mënyrë unanime kundër prishjes së godinës së piramidës.

Arkitekti Enver Faja, edhe pse ka qenë një ndër nismëtarët e shembjes së sistemit diktatorial, ka argumentuar se godina e piramidës ka vlera të vecanta arkitekturore.

“Unë kam qenë profesori që kam udhëhequr studentët në revolucionin demokratik. Ne kemi zbritur nga Qyteti Studenti dhe nuk kemi bërë asnjë tentativë për të rrëzuar piramidën. Ajo nuk është simbol i tiranisë. Piramida, cilindri, sfera janë elementë që dhanë arkitekturën në Evropë”, ka deklaruar arkitekti Enver Faja.

Ndërsa Maks Velo ka këmbëngulur që mendimi dhe vlerësimi i arkitektëve të jetë më i fortë sesa ai i politikanëve.

“Këtu thuhet që duhet të jetë zemra e demokracisë, por ne s’kemi as demokraci, as zemër e as parlamentarë. Po na shkelin me këmbë dhe po na shkelën edhe këtë radhë morëm fund”, është shprehur Velo.

Arkitektët janë shprehur se kjo godinë është një gur i rëndësishëm i mozaikut arkitekturor, i cili duhet ruajtur dhe nuk duhet të politizohet.

“Kjo nuk ka lidhje as me Berishën dhe as me Ramën. Këta politikanë kanë lidhjet dhe kundërshtitë e tyre. Por ne po miratojmë këtë rezolutë, e cila nëse nuk lexohet nga autoritetet do të na detyrojë të reagojmë”, ka deklaruar Agron Jano.

Ndërsa arkitekti që ka projektuar Parlamentin e ri ka treguar vendin se ku duhet të ishte Kuvendi i Shqipërisë.

“Parlamenti nuk duhet të jetë aty ku është, por midis Presidencës dhe godinës së ish-komitetit qendror. Ashtu si të gjitha vendet që kanë institucionet pranë njëra-tjetrës”, ka sqaruar Ihsan Prushi.

Kjo rezolutë, ku kërkohet mos prishja e kësaj godine që mbart vlera të vecanta urbanistike dhe është në harmoni me aksin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do t’i dërgohet kryeministrit, kryetares së Kuvendit, kryetarit të bashkisë dhe presidentit.

Top Channel