Tragjedia e Ballshit, 8 të vdekur

09/11/2010 01:55

Ka përfunduar në mënyrë tragjike, për pjesën më të madhe të pasagjerëve të një autobusi, udhëtimi nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, ku ata jetonin dhe punonin.(UPDATE)

Autobusi i linjës Tiranë – Athinë, pronë e një agjensie greke udhëtimi, ka dalë nga rruga, në komunën Fratar në aksin rrugor Ballsh – Tepelenë, duke përfunduar të paktën 100 metra në një rrëpirë, duke u rrokullisur disa herë.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 20, kur në mënyrë krejt të papritur autobusi ka dalë nga rruga duke u përmbysur,duke shkaktuar një tragjedi të rëndë.

Në orën 24.00, kur në vendin e ngjarjes kishte përfunduar edhe operacioni i shpëtimit, policia bëri të ditur bilancin zyrtar të kësaj tragjedie deri në atë moment.

“Nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e daljes nga rruga të këtij automjeti kanë humbur jetën 8 persona, 5 persona ndodhen në spital në gjendje të rëndë ndërkohë që 36 personat e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ka përfunduar nxjerrja e pasagjerëve nga autobusi dhe nga strukturat e Policisë së Shtetit që ndodhen në vendngjarje është bërë edhe kontrolli i të gjithë zonës. Vazhdon puna për zbardhjen e shkakut të këtij aksidentit të rëndë”, deklaroi policia me anë të zëdhënëses së saj.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur autoambulanca të shumta nga Fieri, Ballshi, Tepelena dhe Gjirokastra, si dhe forca policie nga Fieri e Gjirokstra, forca speciale, deri edhe nga Tirana si dhe forca të zjarrfikëses, të cilat janë bërë pjesë e një operacioni të gjërë shpëtimi. Në ndihmë të policisë kanë shkuar madje edhe banorë të fshatit.

Situata në vendin e ngjarjes ka qenë më shumë se tragjike. Gjatë rrokullisjes, disa prej pasagjerëve kishin dalë nga dritaret e thyera të autobusit dhe mes tyre kishte edhe trupa të pajetë, ndërsa shumë të tjerë të plagosur kërkonin ndihmë.

Përmes një terreni të rënduar nga errësira dhe shiu që kishte rënë gjatë gjithë ditës, operacioni ka qenë i vështirë, por ka përfunduar pak para orës 24, kur është tërhequr edhe autobusi nga gremina.

Ndërsa në vendin e ngjarjes dhjetra forca policie ishin angazhuar për nxjerrjen e njerëzve nga autobusi i përmbysur, autoambulanca të nisura nga disa qytete të vendit u angazhuan në transportin e të plagosurve drejt spitaleve.

Pjesa më e madhe e tyre u përcollën për në spitalin e Fierit, ndërsa një pjesë në spitalin e Tepelenës dhe atë të Gjirokastrës, ndërsa dy u transportuan për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, mes tyre edhe shoferi i autobusit, një shtetas grek. Rreth mesnatës një i plagosur u nis drejt spitalit të Janinës.

Në vendin e ngjarjes ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili më herët kishte urdhëruar vënien në gjendje gatishmërie të spitaleve të Fierit, Tepelenës, Ballshit, Gjirokastrës, e madje edhe spitalit të Vlorës dhe Durrësit.

Sikurse u konfirmua edhe zyrtarisht, janë tetë të vdekurit e kësaj tragjedie, por nëse gjendja e të plagosurve rëndë do të përkeqësohet, atëherë bilanci edhe mund të rëndohet.

Ndërkohe që në Fier, autoritetet e shëndetësisë bënë apel për dhurim gjaku për shkak të nevojës që kishte spitali për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.

E ndërsa beteja tashmë është zhvendosur në sallat e spitaleve ku mjekët po luftojnë për t’u shpëtuar jetën të plagosurve, pyetjet e shumta ngrihen mbi shkaqet e aksidentit.

Ndërsa nuk ka ende një përgjigje zyrtare, pasi ekspertimet mbi autobusin nuk janë kryer ende, të mbijetuarit kanë treguar se shoferi ecte me shpejtësi, ndoshta mbi normën e lejuar, ndërkohë që rrëzimi ka qenë i menjëhershëm. Madje mediat greke kanë aluduar, duke iu referuar burimeve nga agjensia që ka në pronësi autobusin, për shpërthimin e një gome të autobusit çka çoi në devijimin e menjëhershëm të tij nga rruga.

Megjithatë mes pasagjerëve të mbijetuar ka patur edhe nga ata që kanë folur për ndoshta përdorimin e alkoolit nga shoferi. Gjithësesi, shoferi është ndër ata që kanë mbijetuar dhe do të jetë pikërisht ai që do të tregojë edhe shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje tragjike.

Top Channel