Të implikuar direkt

09/11/2010 19:25

Ai që fizikisht ka vënë dorë në varrezat e Boboshticës quhet Alqi Koroveshi, një murator që tashmë është përgjigjur në prokurori për atë që klasifikohet nga ligji penal si dhunim varresh.

Për të kryer punimet Omonia ka marrë një punëtor nga fshati Polenë rreth 40 minuta larg nga Boboshtica. Punëtori ishte zoti Koroveshi. Në të gjithë këtë histori, ky njeri i thjeshtë dhe baba familjeje, është ndoshta i vetmi që rrezikon, ashtu siç ndodh përherë me njerëzit e thjeshtë.
 
Gjatë gjithë paradites, pavarësisht thirrjeve, zoti Koroveshi nuk del as në dritare e askush nga familja e tij megjithëse kemi informacione të sigurta se ka njerëz në shtëpi. Natyrshëm e konsiderojmë një viktimë zotin Koroveshi por disa sqarime duhen dhënë si për shembull ky fakt: “Alqi ishte punëtori që drejtonte këto punime dhe po ai është marrë me vendosjen e kryqit në vitin 1996”, ka treguar Elpi Mança.
 
Por në parlament u kërkua edhe largimi i prefektit të Korçës Andrea Mano i cili u tregua i gatshëm të shprehet për ne: “Nuk e kam dëgjuar direkt, por nuk më ka pëlqyer konteksti në të cilin është lakuar sepse janë bërë akuza nga disa zotërinj që nuk kanë pasur informacion. Me siguri ka qenë një keqkuptim.”
 
Por zyrtarisht çfarë informacioni qarkullon në korridoret e pushtetit rreth rastit Boboshticë: “Unë jam interesuar në komunë dhe më kanë thënë që nuk ka pasur asnjë ankesë nga asnjë banor i komunës në lidhje me dhunimin e varreve. Kam kontaktuar edhe me drejtorin e Policisë dhe më ka thënë që nuk ka pasur asnjë denoncim nga asnjë qytetar. Institucioni i prefektit punon vetëm mbi bazën e fakteve dhe ankesa zyrtare nuk ka pasur”, sqaron prefekti Mano.
 
Por është edhe një detaj shumë i rëndësishëm siç është leja e ndërtimit që duhet për çdo lloj punimi, të paktën në Republikën e Shqipërisë.

“Ky fakt në këtë çështje u bë më pak i rëndësishmi sepse e gjithë vëmendja shkoi tek dhunimi i varreve, por do të kontaktojmë dhe do të verifikojmë. Për çdo punim duhet të merret leje”, përfundon Mano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA