Statusi, Mirel i dorëzon letrën Berishës

09/11/2010 20:00

Opinioni i Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi u lexua në Bruskel nga komsioneri për zgjerimin Stefan Fyle, iu dorëzua zyrtarisht pak minuta më parë kryeministrit Berisha nga drejtori për Europën Juglindore në Komisionin Europian, Pier Mirel.

Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Berisha, zoti Mirel tha se është i sigurtë se është bërë një vlerësim real dhe i janë dhënë kreditet e mjaftueshme punës që ka bërë Shqipëria.

Ai theksoi se kërkohet ende punë nga qeveria për të përmbushur kriteret në mënyrë që së shpejti të hapen negociatat.

“Kemi vënë disa përparësi të qarta që mund të kthehen në një opinion pozitiv në të ardhmen për vendin si, strategjia për reformën në gjyqësor që ende nuk është miratuar, masa të efektshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të drejtat e pronësisë janë një çështje e diskutuar për shumë kohë, po ashtu edhe lehtësimin e ligjit per antidiskrimin dhe lehtësimin e romëve në Shqipëri. Një gjë e rëndësishme që duhet rregulluar është funksionimi i parlamentit në Shqipëri që duhet të rregullohet në mënyrë të menjëhershme. Funksionimi i parlamentit është çështja kryesore në kriterin politik të Kopenhagenit”, është shprehur Mirel.

Ndërkohë kryeministri Berisha deklaroi se qeveria shqiptare do të shqyrtojë me seriozitet vëretjet dhe do të punojë për plotësimin e tyre.

Berisha tha se nuk kërkojmë vlerësime jashtë asaj që meritojmë dhe kemi dhënë.

Kryeministri shqiptar deklaroi se vërejtjet e komisionit do të jenë prioritete të punës së qeverisë.

“I tërë proçesi i integrimit të Shqipërisë në Evropë, nga unë dhe qeveria ime është konsideruar dhe konsiderohet si një proçes i bazuar në performancën dhe meritën. Kemi privilegjin që me KE-në të kemi një komunikim dhe bashkëpunimin më transparent çka e cila mendoj unë përbën një avnatazh të madh në punën tonë. Në traditën e qeverisë sime raporti i KE-së shndërrohet në një program pune, në interesin më të mirë të proçesit të integrimit të Shqipërisë në BE, çka do të thotë se të gjitha përparësitë e përcaktuara në këtë raport do të shndërrohen në prioritete të qeverisë sime gjatë muajve në vazhdim dhe vitit që vjen”, tha Berisha.

“Do bëjmë çdo përpjekje për të bashkëpunuar me opozitën dhe në asnjë rrethanë nuk mund të pretendoj ta udheheq atë. Ajo çka më takon mua është t’i bëj oferta të ndershme, transparente në interesin më të mirë të vendit dhe unë këtë do ta bëj dhe e kam bërë në mënyrë të pandërprerë. Proçesin e integrimit e marrë tërësisht të bazuar në meritën dhe Shqipërinë e marr kështu siç është. Shqipëria reale është kjo që është. Na duhet të bëjmë çdo përpjekje për të shënuar hapa të rëndësishëm në BE. Kjo ka qenë prioritet në punën e qeverisë”, theksoi kryeministri.

“Ju e dini që pasioni im janë reformat dhe do bëj çdo gjë për t’i realizuar ato”, shtoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA