Lule tek autobusi i tragjedisë

09/11/2010 20:50

Disa orë pas aksidentit në Fratar disa nga familjarët e viktimave janë rikthyer në vendin e ngjarjes me lule në duar.

Me lot në sy ata janë mbledhur në vendin ku mbremjen e së hënës autobusi i linjës Tiranë-Athinë doli nga rruga dhe përfundoi disa metra poshtë saj duke i marrë jetën 9 personave dhe duke plagosur 41 të tjerë.

Familjarët e viktimave i janë afruar autobusit që ndodhet ende në vendin e tragjedisë dhe në kujtim dhe në nder të viktimave kanë hedhur lule në vendin ku vetëm pak orë më parë u konsumua një ngjarje shumë e rëndë.

Mes viktimave është edhe një vajzë nga fshati Frakull e vogël. Marjola Guma, 13 vjeçe, udhëtonte për në Athinë me babain e saj Fred Guma, nënën, motrën binjake dhe gjyshen.

Në aksidentin tragjik Marjola së bashku me babanë e saj humbën jetën, ndërsa nëna e motra binjake dhe gjyshja u plagosën rëndë.

Pas tragjedisë në vendin ku u përmbys autobusi kanë mbetur pasojat e kësaj drame.

Sendet personale të viktimave dhe të të plagosurve janë përhapur mes barishteve dhe baltës si për të kujtuar çastet e tmerrit që kaluan 50 pasagjerët e autobusit të tragjedisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA