
Stina e vjeshtës rezervon rritje të çmimeve për artikujt ushqimorë bujqësorë, kryesisht te zarzavatet. Referuar të dhënave të INSTAT-it për muajin tetor, kemi një zbutje të çmimeve në tërësi, duke ndikuar në uljen e inflacionit, nga 3.4%, në 3%, krahasuar me një vit më parë.
Duke u ndalur te grupi i “ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike”, vërehet një rritje e lehtë e tyre me 0.4%, ku brenda kësaj kategorie rritja më e madhe prej 2% vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”.
Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të specave me 20.2%, patëllxhanëve me 12.2%, domateve me 10.9%, kastravecëve me 8.5% etj., si edhe uljen e çmimeve të lulelakrës me 23.9 %, lakrës me 14.1%, spinaqit me 17.8% etj. Ndryshe rezulton ecuria e çmimeve me frutat, që pësuan ulje me 2.6% krahasuar me një vit më parë, ku mund të përmendim uljen e çmimit të kivit me 21.8%, limonëve me 13.4%, mollëve me 7.7%, portokajve me 4.1% etj.
Gjatë muajit tetor çmimet shënuan rritje edhe në nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet “bukë e drithëra” me 1.1% “vajra dhe yndyra” me 0.2%, “qumësht, djathë e vezë” me 0.4% etj. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.1%, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit u rritën me 0.1%.
Kurse indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një rritje prej 0.2%, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të veshjeve për burra me 0.6% dhe këpucëve për burra me 0.4 %. Edhe indeksi i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 0.1%, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të lëndëve djegëse me 0.2%.
Top Channel