Bankat: Kreditë, kushte më të forta për individët

09/11/2010 08:00

Bankat e nivelit të dytë parashikojnë kushte akoma dhe më të forta kreditimi për individët dhe më lehtësuese për bizneset.

Në raportin e fundit të “Politikës monetare”, pas një vëzhgimi dhe pyetësori, të kryer nga Banka e Shqipërisë, rezulton se situata me kreditimin në tërësi vijon të përkeqësohet, ndërsa në vijim nuk pritet të ketë lehtësime mbi procedurat që duhet të ndjekin individët.

Nga vëzhgimi mësohet se, politika shtrënguese e bankave për t’u dhënë kredi bizneseve, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010, është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së marzheve për kreditë me rrezik më të lartë dhe rritjes së kërkesës për kolateral.

Biznesi dhe individi

Politika lehtësuese është zbatuar kryesisht nëpërmjet rritjes së maturitetit maksimal të kredisë. Ndërsa për individët, politika shtrënguese është zbatuar kryesisht nëpërmjet zgjerimit të marzhit për kreditë me rrezik dhe politika lehtësuese kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit për kreditë në përgjithësi.

Bazuar në gjykimet e ekspertëve të bankave, kërkesa e bizneseve dhe e konsumatorëve vlerësohet në rënie gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010. “Situata makroekonomike gjykohet si faktori
kryesor nxitës i rënies së kërkesës për bizneset, ndërsa kushtet e kreditimit të bankave janë vlerësuar si faktor kryesor pas rënies së kërkesës për individët”, analizon BSH-ja situatën e kreditimit në vend.

Pavarësisht apeleve të guvernatorit ndaj bankave për shumë kredi në ekonomi, duket se risku i moskthimit të huas detyron sistemin të veprojë të kundërtën. Mësohet se, për tremujorin e katërt të vitit 2010, bankat presin lehtësim të standardeve për bizneset dhe shtrëngim të tyre për konsumatorët. “Këto pritje janë shprehur në kushtet kur bankat presin rritje të kërkesës në tremujorin e katërt të vitit 2010 si nga bizneset, ashtu edhe nga individët. Po për këtë tremujor, bankat presin rritje më të shpejtë të aktivitetit kreditues në valutë”, thuhet në raport.

 

Top Channel