Çfarë ndodhi në Boboshticë?

09/11/2010 19:05

Boboshtica, një emër fshati që tingëllon ndoshta edhe disi satirik për dikë, u shndërrua për disa javë me radhë në epiqendrën e një diskursi të fortë etnik në Shqipëri. Por çfarë është Boboshtica.

Ky fshat, fare pranë Korçës ruan një të kaluar interesante dhe aspak të ngjashme me atë të fshatrave të zakonshëm. Taverna, emancipim, emigracion i hershëm në Massachussets, jetë mondane për aq sa mund të bëhet jetë mondane në një fshat shqiptar, deri edhe dëshmi për ekzistencën e një shtëpie publike të frekuentuar nga ushtarët e huaj gjatë luftës.

Pikërisht në këtë fshat ku kujtesa për të kaluarën ka rëndësinë e vet, u ndez një debat i fortë që ngacmoi ndjenjat e shumë banorëve. Nesti Çina, një ndër këta banorë tregon para kamerave: “Gjyshja më del në ëndërr dhe me thotë: ‘Cfarë bëhet me këtë beton që na kanë hedhur sipër?’”
 
Por çfarë ka ndodhur realisht në Boboshticë, fshat i komunës Drenovë të qarkut të Korçës. Të moshuarit e fshatit duket se nuk e kanë humbur kujtesën e aq më pak fuqinë për të protestuar. Elpi Mança, ish-mësuese është e qartë në gjërat që thotë: “Dëgjoj administratorin e Kishës, Sotiraq Koço, që thotë se kanë ardhur duke gërmuar tek varrezat. Ai i kishte thënë të ndalonin, por punëtorët nuk ia kishin vënë veshin.”

Pretendimi i banorëve autoktonë është që rrugica është ndërtuar mbi eshtrat e të parëve të tyre, ndërsa pretendimi i ndërtuesve, pra ‘Omonias’, është që këtu ka qenë rrugica midis dy parcelave. Rrugica prej betoni e cila thuhet se është hedhur mbi varre mbaron me kryqin e madh që nga ana e tij është ndërtuar shumë kohë më parë.

“Kryqi u bë nën drejtimin e ‘Omonias’ që ka sponsorizuar për ndërtimin e tij”, shprehet Elpi.
 
Por pas fillimit rrokambolesk të punimeve duket së cështja u mor seriozisht nga ndërtuesit e tij: “Pas dy-tre ditësh kthehen punëtorët dhe vazhdojnë punimet. Pasi administratori i thotë të ikin ata u larguan por u kthyen sërish se po afronte data e festës së grekëve”, vazhdon Elpi.
 
Bota e të vdekurve ngjall frikë dhe mister dhe disa njerëz në fshat nuk duan madje as të përzihen fare me të. Ilo Kuneshka pavarësisht bezdisë për të folur arrin të na tregojë diçka me vlerë: “Ata që i prishën eshtrat e gjyshërve do kenë punë me mua!”
 
Një histori e denjë për thriller me shumë ekuacione ndërkohë që akuzat shpërndahen në shumë drejtime: “Prifti nuk duhet të shkelë më këtu, nuk e di se si e ka emrin dhe as më intereson”, shprehet Nesti.
 
Nëse do të flasim për dhunim varresh do të thotë që duhet të ketë pasur patjetër eshtra. Naum Disha i Omonias në Korçë thotë që nuk ka parë eshtra, Alqi Koroveshi përgjegjësi i punimeve thotë që nuk pa eshtra, ndërsa pamjet nuk thonë të njëjtën gjë.

“Thonë që nuk ka pasur eshtra por atje kishte eshtra. Ishte komplet legeni, brinjët, nofulla e poshtme, një dhëmb, rruazat e shtyllës kurrizore…” tregon Elpi.
 
Por a ekziston mundësia që buldozerët e paguar nga Omonia për të shtruar rrugën drejt kryqit grek duke punuar mbi varre shqiptarësh t’i ketë dëmtuar këta? Sipas fshatarëve edhe vetë zanafilla e punimeve në varrezë është një mashtrim. Banorët as që besojnë se ndonjë ushtar grek ndodhet në varrezat e gjyshërve të tyre.

“Nuk ka grekë te varrosur. Nuk ka ushtarë grekë”, thotë Elpi.
 
Me kalimin e viteve Boboshtica i është nënshtruar të njëjtave fenomene si çdo pjesë e Shqipërisë, largime, ardhje të reja që me sa duket janë një pjesë përbërëse e këtij mozaiku kompleks.

“Boboshtica nuk përfaqësohet nga boboshtarët prandaj jo i gjithë fshati na mbështet” shprehet Nesti.
 
Zonja Elpi, tregon edhe ajo vështrimin e saj mbi kohërat që kanë lëvizur mbi Boboshticë: “Fshati është ndarë në dy pjesë. Fshatarët e mi i njoh cfarë zemre kanë, por Greqia ja ka marrë mendjen me ato pensione dhe fëmijët i kanë atje…”
 
Banorët vendas janë të bindur se u janë dhunuar varret e të parëve. Zyrtarë nga Korça thonë që ata shohin ëndrra. A janë dhunuar vërtet varre shqiptarësh në Boboshticë për të lartësuar një monument grek? Fshati ashtu si edhe opinioni është i ndarë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA