“Sot, kur për Shqipërinë po ndodh një histori, po fillon liberalizimi i vizave, i uroj kryeministrit Berisha, spektrit politik dhe popullit shqiptar suksese dhe shpreh bindjen se kjo do të ndodhë shumë shpejt edhe për Kosovën”.

E teksa si kryeministri, po ashtu dhe shqiptarët e Kosovës urojnë Shqipërinë, do të duhet akoma edhe shumë kohë që nëpër rrugët e Prishtinës të vendosen shenjat që të orientojnë drejt qendrave kryesore evropiane.

Kosova mbeti jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e Kosovës, siç e kanë simbolikën e vet këto shenja, mund t’i gëzohen udhëtimit në Tiranë, Shkup e Podgoricë, apo edhe në Turqi, e cila së fundmi hoqi vizat për kosovarët.

Ndërsa në Bruksel vendosej heqja e vizave të zonës Schengen për shqiptarët e boshnjakët, qytetarët e Kosovës, të cilët po ndiqnin nëpërmjet ekranit këtë moment, shprehen mllefin e tyre për “getoizimin e Kosovës”.

“Midis Ballkanit dhe shtetet përreth të tjerët mund të lëvizin pa viza, ndërsa ne duhet të shkojmë në ambasadë, të presim një javë dhe të harxhojmë para”, shprehet Vullnet Gacaferri.

Ndërsa ministrit në largim të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit duket se do t’i mbetet peng fakti që gjatë mandatit të tij nuk arriti të marrë as strategjinë për liberalizimin e vizave.

Ai fajësoi zyrtaren e lartë evropiane Sesilia Malmstrom se ka paragjykuar në rastin e qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që tha se kriteret teknike për marrjen e strategjisë janë plotësuar.

“Sesilia Malmstrom ka paragjykuar shqiptarët. Por Kosova është shumë bindëse në këtë proces”, ka thënë Rexhepi.

E derisa Bashkimi Evropian t’i lërë mënjanë paragjykimet për të cilat flet politika në Kosovë, qytetarët e shtetit më të ri do të vazhdojnë të presin para ambasadave të huaja për një udhëtim jashtë shtetit.

Pritjet duket se janë të mundimshme aq më tepër kur në të shumtën e rasteve kërkesa për vizë refuzohet dhe të hollat e shpenzuara për këtë qëllim nuk kthehen.

Top Channel