
Seanca dëgjimore në komisionin e ligjeve me gjyqtaren Manjola Bejleri, e dekretuar nga presidenti për anëtare e Gjykatës së Lartë, ishte nga seancat më të gjata të zhvilluara deri më tani.
Për rreth tre orë, deputetë demokrate kanë bërë me dhjetra pyetje për zonjen Bejleri, duke u përpjekur të hedhin hije dyshimi se kandidatura e saj është sponsorizuar për shkak të qendrimeve të saj, si kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve, kundër disa nismave të qeverisë për gjyqësorin, që më vonë kanë rezultuar anti-kushtetuese.
Gjyqtarja Manjola Bejleri ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me qendrimet e mbajtura. “Si kryetare e shoqatës, lidhur me reformën dhe procesin e reformës në drejtësi, si dhe me nismat e ndërmarra nga qeveria, për cdo deklaratë që është bërë në media, për cdo prononcim në emër të shoqatës, ka qenë një mendim kolegjial”, ka deklaruar Bejleri.
Gjatë seancës se pyetjeve të gjithë ishin dakort se zvarritja e cështjeve në gjykata ishte një nga fenomenet më negative, por demokratët bënë përgjegjëse gjyqtaren Bejleri se ajo ishte ndër ata gjykatës, që për vitin 2010, nga 55 cështje të gjykuara vetëm 10 kishin marrë mesataren e kohës së vënë nga gjykata.
“Për një cështje, e cila mestaraen e saj e ka 173 ditë, ju e keni gjykuar për 560 ditë, për një cështje tjeter, e cila e ka mesataren e saj, pra të gjithë gjyqtaret e tjerë të Tiranës e gjykojnë për 345 dite, ju e keni gjykuar për plot 1021 ditë. Pse ndodh kjo histori zgjatjesh apo zvarritjesh?”, ka kërkuar sqarime deputeti Enkelejd Alibeaj.
Por zonja Bejleri tha se nga KLD-ja nuk kishte patur kurrë vërejtje për zvarritje, që mund të shkaktohej edhe nga pezullimi i cështjeve.
“Do të tërhiqja vëmendjen e komisionit, që puna ime nuk mund të matet vetëm me një statistikë ditore apo kohore. Duhet parë në një kontekst më të gjerë dhe duhet vlerësuar rast pas rasti. Mund të jenë tejkaluar afatet kohore për ndonjë cështje të vecantë, por këto kanë të bëjnë me rastin konkret dhe vecoritë specifike që ka paraqitur cështja konkrete”, ka argumentuar Bejleri.
Nga deputetët demokratë u bënë përpjekje të qarta për të vlerësuar punën e gjyqtares Bejleri, të tillë që nuk e bënte atë të shquar mes komunitetit të juristëve, një nga kriteret për të marrë kandidimin nga presidenti i Republikës.
Sipas anëtarëve demokratë të komisionit të ligjeve, më shumë se gjysma e cështjeve të gjykuara nga zonja Bejleri ishte kthyer nga një gjykatë më e lartë.
Por gjyqtarja Bejleri u mbrojt duke argumentuar se sërish duhet folur rast pas rasti, pasi vendimet e Apelit për kthimin e cështjeve të gjykuara prej saj mund të jenë rrëzuar nga Gjykata e Lartë.
Gjyqtarja Manjola Bejleri theksoi se vlerësimin për gjyqtarët e bën vetëm KLD-ja dhe nga ky institucion kushtetues nuk është bërë ende një vlerësim i cilësisë së punës së saj voluminoze.
Top Channel