Prifti: Gjoba ndaj meje, ndesh me ligjin

04/11/2010 21:50

Ish-ministri Dritan Prifti, duke folur në lidhje me gjobën e vendosur nga ILDKP-ja, ka deklaruar se masa e marrë ndaj tij, bie në kundërshtim me ligjin dhe theksoi se do ta çonte vendimin në gjykatë.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Prifti tha se personi i emëruar nga ai, për të cilin edhe është gjobitur me motivin e konfliktit të interesit, është shkarkuar nga ai vetë.

“Nuk është se mua një gjobë e tillë do të më rrënojë buxhetin familjarë. Nuk është problemi i gjobës, unë çështjen do e çoj në gjykatë sepse jam gjobitur për emërimin e një personi që ka blerë aksionet e bashkëshortes sime. Në momentin që ky është emëruar, juristët e Ministrisë së Ekonomisë nuk e kanë quajtur si konflikt interesi, pasi personi në fjalë është i lidhur me një person të lidhur me mua. Ligji, personat e lidhur me një person të lidhur, nuk i quan konflikt interesi”, theksoi Prifti.

“Unë kam qenë që e kam emëruar dhe kam qenë pikërisht unë që e kam hequr për të shmangur çdo lloj keqkuptimi”, theksoi Prifti.

Top Channel