Avokati i Popullit, PD ofertë PS-së

Duke përshëndetur deklaratën e shefave të misionit të Bashkimit Europian në Tiranë, të cilët u kërkuan partive politike të mos e lidhin ngërcin politik në vend me emërimin e Avokatit të Popullit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në emër të mazhorancës, i bëri një propozim të ri opozitës.

Oferta i jep të drejtën opozitës të përzgjedhë ajo emrin e Avokatit të Popullit dhe ta votojnë bashkarisht në Parlament, meqë ky institucion kushtetues, i mbetur bosh prej disa muajsh, kërkon 84 vota.

“Një gjë të tillë ia kam bërë të ditur kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që në mënyrën më urgjente të propozojnë emrin që dëshirojnë sipas ligjit, në mënyrë që opozita të marrë kreun e organit kushtetues të Avokatit të Popullit. Me të vetmin kusht që, emri i propozuar të mos ketë qenë pjesë e proceseve gjyqësore politike gjatë diktaturës dhe të mos ketë pasur probleme me dhunimin e të drejtave të njeriut gjatë këtyre 20 viteve”, ka deklaruar Topalli.

Por, Partia Socialiste, në një përgjigje të menjëhershme, e cilësoi këtë ofertë si një pazar për ndarje pushtetesh, me qëllim pengimin e hetimit të zgjedhjeve.

“Oferta e zonjës Topalli në fakt është njëkohësisht edhe shenjë e dëshpërimit të pushtetit të Sali Berishës për të ndaluar me çdo kusht transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pazari i pushteteve nuk është ofertë për Partinë Socialiste. Partia Socialiste ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë në mënyrë konstante dhe të qëndrueshme, transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si mënyra më e mirë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen”, ka deklaruar deputeti Sajmir Tahiri.

Një ditë më parë delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u bëri thirrje të gjitha partive politike të procedojnë në mënyrë urgjente me emërimin e Avokatit të ri të Popullit.

Bashkimi Europian përsëriti gjithashtu apelin se ngërci politik nuk duhet të pengojë miratimin nga ana e Parlamentit të reformave që janë në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Top Channel