Rasti “Bleona”

02/11/2010 18:50

Bleona Mata. Më 29 gusht ajo mungoi në festën e saj të ditëlindjes. Ishte dita kur ajo do të mbushte 7 vjeç. Por që prej 22 majit ajo i mungon shtëpisë dhe familjarëve të saj.

Eshtë vështire të gjesh ndër kronika lajmesh apo filmimet tona ndonjë plan ku nuk lexohet dhimbja në fytyrën e familjarëve e sidomos në portretin e Zenel Matës, gjyshit të saj.

“Bleona është një vajzë me karakter shumë sensibël. Sa vija nga shkolla më dilte përpara, më përqafonte, më kërkonte ndonjë lek. Pastaj, vinim në shtëpi, më recitonte vjersha ose këndonte. Kishte shumë qejf të shihte televizor”, tregon gjyshi i saj.

Por ka një arsye tjetër pse ky shtator ka qenë jashtëzakonisht i dhimbshëm për gjyshin e Bleonës së vogël. Ai është përgjegjësi i shkollës së fshatit. Shkollë ku Bleona do të ulej sivjet për herë të parë me shokët dhe shoqet e të njëjtës moshë, por që me sa duket jo me të njëjtin fat.

“Ajo do fillonte në Zapod klasën e parë. E kisha përgatitur me të gjithë bazën materiale. Mezi priste të fillonte. E kam regjistruar në shkollë pasi kishte humbur vajza sepse nuk i dihet, mund të kthehet… I ruaj akoma të gjitha librat e saj”, vazhdon Zeneli.

Një vajzë e vogël, e ëmbël dhe e dashur, që mungesa e brejtjes së ndërgjegjes së dikujt bën që edhe sot pas 24 javë kërkimesh dëshpëruese ajo të mos jetë ende e gjendur. Shumë pista kanë qarkulluar nëpër media të ndryshme rreth personave që kishin dijeni apo kishin gisht në humbjen e saj. Alketa Mata, halla e Bleonës është një nga personat e fundit që e ka parë, por ajo e ka parë edhe të rritet.

“Më kërkonte t’i tregoja përralla, i pëlqenin shumë. Pastaj shikonte filma vizatimorë në televizor”, tregon Alketa.

Sipas prokurorisë, personi i fundit që e ka parë Bleonën është kushërira e saj, Qamile Mata. Por, para se të jetë një person me dijeni mbi ngjarjen, ajo është kushërira që banon ngjitur dhe mes nervozizmit dhe ankthit për gjetjen e vogëlushes ajo kujton dhe gjëra të bukura.

Rasti i Bleona Matës, është kthyer në një nga çështjet që po mundon prej muajsh opinionin publik në Shqipëri. Një vajzë e vogël që nuk kishte pasur kohë të rritej vetë e jo më të rriste konflikte sado banale, në një fshat thellësisht të humbur e të varfër, ku në driten e diellit askush nuk ka asgjë me askënd e megithatë që nga 22 maji ka humbur pa lënë gjurmë. Bleona që shihte me ëndje të papërshkrueshme televizorin me shpresën për të parë ato vende të bukura e për t’u rritur e bukur si idhujt e saj të telenovelave.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel