Plehrat, import mbetjeve toksike

02/11/2010 08:15

Vendimi i qeverisë për lejimin e importimit të plehrave për qëllime riciklimi po shkakton debate të forta në sektorin ambientalist në vend, por edhe jashtë territorit të vendit tonë.

Diskutimet e para në Itali po hedhin tezën e kalimit të mbetjeve toksike, si uranium i centraleve bërthamore, drejt brigjeve shqiptare, të pashfrytëzuara që qeveria “Berluskoni” mund t’i shfrytëzojë për interesa të ndryshme.

Referuar një marrëveshjeje të gjerë bashkëpunimi që Kryeministri italian ka firmosur tre vjet më parë me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, shteti i Apenineve “i ka mundësitë për të sjellë tonelata me mbetje të ndryshme urbane, përfshi dhe nukleare, duke shfrytëzuar brigjet e pashfrytëzuara të Shqipërisë” (thuhet në forumet italiane të corriere.it).

Sakaq, përfaqësuesit kryesorë të mbrojtjes së ambientit u thirrën dje për të dhënë qëndrimet e tyre pse janë kundër vendimit të qeverisë për importin e plehrave. Pas një sqarimi me kreun e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, i cili kërkoi rregull në prezantimin e oponencës, grupet e interesit deklaruan në thelb se, vendimi i qeverisë duhet ngrirë, për të mos thonë se duhet anuluar, pasi i vendos shqiptarët përpara një rreziku për jetën. Kritika të forta paraqiti në komision, Sazan Guri, sipas të cilit mungesa e bazës ligjore për paketimin do të sjellë shumë pasoja. “Nga riciklimi i mbetjeve metalike nga përpunimi i 100 tonëve mbetje vetëm 20 tonë do të përdoren, ndërsa 80 tonë të tjerë janë mbetje, ku do të shkojnë. E drejta për riciklim u jepet kompanive të biznesit, të cilat nuk janë kompani ricikluese dhe ambientaliste. Për të gjitha këto arsye ky vendim duhet pezulluar”, tha eksperti i mjedisit, Guri.
Një tjetër zë kundër projektit të qeverisë e lidhte problemin me aspektin ligjor, me mungesën e strategjisë për riciklimin e plehrave dhe dëmtimin e disa sektorëve prioritarë, si bujqësia dhe turizmi. “Në këtë strategji është prioritet turizmi dhe bujqësia, dy faktorë të cilët dëmtohen drejtpërdrejt nga importi i mbetjeve në vend. Vendimi i Këshillit të Ministrave është në flagrancë me prioritetet e përcaktuara, të cilat janë të diktuara edhe nga MSA”, thotë Lavdosh Ferrunaj.

Sipas tij, VKM-ja për importin e mbetjeve nuk ka një plan të përgjithshëm kombëtar dhe pa këtë plan nuk mund të instalohet një industri, e cila është industria më ndotëse e ambientit.

Por edhe sikur ambientalistët të ishin pro VKM-së për importin e plehrave nga jashtë, ata shprehen dyshues mbi azotimin rigoroz të vendimit, pasi në vend mungojnë shumë akte ligjore për respektimin e kësaj reforme. “Ne nuk kemi bazë ligjore për zbatimin e këtij vendimi dhe për këtë arsye kërkojmë pezullimin e tij deri në krijimin e infrastrukturës dhe hartimit të legjislacionit”, thotë Guri.

Një tjetër ambientaliste, Kozara Kati, përmend faktin e marrëveshjes që qeveria shqiptare ka firmosur me konventat në mbrojtje të mjedisit, siç është ajo e Arhusit (viti 2001). “Nuk po diskutojmë për listën, por për zbatimin e vendimit të qeverisë, e cila mund të ketë shumë pasoja për të gjithë. “Ne nuk mund të klasifikojmë dhe të menaxhojmë mbetjet tona dhe jo të importojmë edhe mbetje të tjera nga gjithë bota. Importi i mbetjeve në Shqipëri është i parakohshëm”, thotë Kati.

Top Channel