Piramida, kriza dhe qeveria

02/11/2010 19:50

Edi Rama dhe Sali Berisha janë përballur sot në një debat të pazakontë me njeri-tjetrin në mbledhjen e parë të komitetit shtetëror për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

Një debat që ka nisur me piramidën dhe më pas ka shkuar për diskutimin mbi Enver Hoxhën.

Skënder Minxhozi, analist i Top Channel dhe kryeredaktor i revistës “Mapo” është shprehur në edicionin e lajmeve se “ky debat nuk mund të jetë gjë tjetër veçse artificial”.

“Në harkun e një jave këta dy personazhe janë vënë përball njeri-tjetrit dhe nuk është mjaftuar takimi i parë dhe kanë bërë edhe një takim të dytë. Është një risi për Edi Ramën që është munduar t’i shmangë kundërshtarët e tij në përballje direkte. Por të dyja takimet janë pa risi”, tha Minxhozi.

I pyetur se pse zhvillohet ky debat për piramidën dhe për Enver Hoxhën, tani 20 vjet pas shembjes së diktaturës, Minxhozi tha se “nga dalja e papritur në qendër të vëmendjes, ky debat nuk mund të jetë gjë tjetër veçse artificial”.

“Nëse ka një gjellë të ngrohur kjo është loja me antikomunizmin. Ka qenë një kartë e suksesshme në atë kohë, por në vitin 2010 kjo është një betejë shterp që i ngjan romanëve me Don Kishotin. E gjitha kjo është një debat në ajër, pa bazë që bëhet rreth një godine që në vetvete është një subjekt pa sens”, tha Minxhozi.

“Top Channel është një element shumë i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare. Nuk do doja që arsyeja kryesore të ishte nxjerrja e kësaj mediaje nga godina”, theksoi Minxhozi.

Top Channel