Ligjet, PD rrëzon 3 dekretet e Topit

01/11/2010 19:45

Komisioni i ligjeve vendosi me shumicën e votave të anëtarëve demokratë të rrëzoje 3 nga 4 kandidaturat e presidentit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim do të thotë që në seancën e së enjtes, maxhoranca do të reflektojë të njëjtën votë.

Për socialistët, të cilët morën pjesë aktive në debatin e gjatë prej tre orësh, ky është një vendim politik që nuk vlerëson profesionalizimin e kandidatëve.

Një opinion, që sipas demokratëve, nuk qëndron përderisa kandidatëve iu gjetën qëndrime dhe veprime që cënojnë sjelljen e tyre në raport me ligjet e vendit.

“Prandaj them që diskutimi i sotëm është i vendosur, ju nuk është se u besoni kandidaturave. Nëse ne marrim urdhër politik për të vendosur kandidaturat, nuk do të kemi asnjë rrugëzgjidhje”, deklaroi deputeti i PS, Bashkim Fino.

“Devotshmëria e kandidatëve ndaj ligjit nuk është kriter politik. Nëse do të ishte, atëherë ne jemi duke bërë afera ortakërie, do të duket sikur po mbyllim sytë ndaj shkeljeve dhe ky nuk është objektivi ynë”, është përgjigjur kryetari i komisionit, Ilir Rusmali.

Ajo që spikati gjatë votimit për mosdhënien e pëlqimit të demokratëve për tre nga 4 kandidatët, ishte vota abstenim e deputetit të LSI-së, Nasip Naco.

Deri tani, kur gjatë votimit në Parlament socialistët kanë munguar, vota e LSI-së ka qenë gjithmonë pro kandidatëve të sjellë nga presidenti i Republikës.

Top Channel