Haxhinasto: Krishtlindjet na gjejnë pa viza

01/11/2010 21:45

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se festa e Krishtlindjeve do t’i gjejë shqiptarët të lirë për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.

Në një intervistë për emisionin “Shqip”, Haxhinasto është shprehur se krahas heqjes së vizave, qytetarët shqiptarë duhet të respektojnë me rigorozitet kriteret që rrjedhin nga kjo e drejtë.

“Krishtlindjet do të jenë kohë kur shqiptarët do të lëvizin pa viza. Është një status i rëndësishëm që Shqipëria merr nga BE. Për të udhëtuar duhet pasaporta biometrike dhe nga ana tjetër duhet respektuar koha e qëndrimit, që është shumë e rëndësishme”, ka pohuar Haxhinasto.

Ai ka saktësuar se nëse dikush bën këtë shkelje do të ndiqet nga penalitete që parashikojnë ndalimin e hyrjes për 5 vjet në hapësirën Schengen.

“Përgjegjësia jonë është gjithashtu që të mos lejojmë fluksin e azilkërkuesve, sic ka ndodhur me serbët dhe maqedonasit. Kjo ka ardhur si pasojë e keqinformimit të qytetarëve. Koha që ka mbetur deri në heqjen e vizave do të përdoret për të informuar më tej qytetarët shqiptarë”, ka nënvizuar shefi i ri i diplomacisë shqiptare.

Më tej Haxhinasto ka shtuar se heqja e regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian ka qenë më se e merituar, pasi sipas tij Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Mendoj se heqjen e vizave e kemi merituar plotësisht. Është një proces që e kemi nisur prej dy vjetësh dhe vlerësimi i ekspertëve të Komisionit ka qenë shumë pozitiv, se Shqipëria i ka plotësuar standartet”, ka shtuar Haxhinasto.

Top Channel