Megjithëse kanë kaluar 50 vjet nga koha kur shqiptarët shpëtuan nga Holokausti më shumë se 2 mijë hebrenj, ky veprim i cili do t’i sillte çdo kombi krenari, vazhdon t’i jepet një rëndësi dhe vlerësim i veçantë.
Këtij akti, tashmë të cilësuar si një prej xhesteve, më fisnik të shqiptarëve në Shqipëri, përfshi ata në Kosovë, i është dedikuar një dokumentar që mban firmën e Dardan Islamit.
Ideja e shfaqjes së këtij dokumentari, në tempullin e demokracisë botërore siç është parlamenti britanik ishte e dy ambasadorëve atij të Shqipërisë, Zef Mazi dhe homologut të tij kosovar, Muhamet Hamiti.
Lordë, parlamentarë, studiues të çështjeve të Luftës së Dytë Botërore, anëtarë të komunitetit hebre dhe atij shqiptar në Londër, kanë ndjekur së bashku, dokumentarin e titulluar “Rescue in Albania” (Të shpëtuar në Shqipëri).
Dokumentari përcjell fuqishëm dy karakteristika të patjetërsueshme të shqiptarëve, bujarinë dhe besën, përfshi dëshmi rrënqethëse të atyre që i mbijetuan kërkimeve të ethëshme nga ushtarët nazistë me qëllimin final ekzekutimin.
“Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kishin asgjë, por ishin të gatshëm të ndanin edhe kafshatën e fundit me ata në nevojë. Ndërsa besa ishte një tjetër element që çoi në mbrojtjen e hebrenjëve, pasi siç ne e dimë shqiptari më mirë jep jetën se sa t’i preket miku”, thotë producenti Dardan Islami.
Me shumë emocion e ka ndjekur dokumentarin njëra prej dëshimitareve okularë të atyre ngjarjeve.
Scarlett Epstein ishte vetëm 16 vjeçe kur u mor në mbrojtje nga një familje shqiptare. Pasi u largua nga Shqipëria ajo vazhdoi jetën në Londër ku u shkollua dhe tani punon si profesoreshë e antropologjisë dhe eksperte për problemet e vendeve në zhvillim.
Alban Bytyqi një prej aktivistëve të komunitetit shqiptar në Angli tha se “shfaqja e dokumentarit “Rescue in Albania”, përçoi një mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm, që tregon se, shqiptarët kanë plot arsye të jenë krenarë për vetitë e tyre fisnike dhe bujarinë e pashembullt, cilësi të cilat njihen shumë pak nga bota”.
Top Channel