Komunikimi sekret, Oketa: Nuk u prek

29/10/2010 19:45

Ilir Gjoni, zëvendëskryetar i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, ka mbajtur në qeverinë socialiste postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Kolegu i tij në komision, deputeti Gazmend Oketa, në qeverinë e mëparshme demokrate ka qenë ministër i Mbrojtjes.

Për zhdukjen e kompjuterit të komunikimeve të klasifikuara nga misioni ynë në Nju Jork, ai është i bindur se dëmi ka qenë minimal.

“Është një çështje që duhet të diskutohet por në dijeni time nuk ka cënuar aspak sigurinë e informacionit. Pasi misioni ynë në Nju Jork nuk ka transmetuar ndonjëherë informacion të klasifikuar. Së dyti ky informacion është i kriptuar”, theksoi Oketa.

Por zëvendëskryetarit të komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, Ilir Gjoni, i bën përshtypje vonesa me të cilën u njoftua SHISH.

“Më bën përshtypje fakti që nga koha kur MPJ është njoftuar për humbjen e laptopit, kaluan 2-3 javë derisa institucionet e tjera të sigurisë, u njoftuan. Eshtë një fakt që duhet analizuar thellë, siç më bën përshtypje fakti që askush nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe ky është karakteri i kësaj qeverie, pandëshkueshmëria”, është shprehur Gjoni.

Zhdukja e kompjuterit portabël në misionin tonë në Nju Jork, ka ardhur për shkak të kushteve të papërshtatshme të sigurisë në mision. Kushte të ngjashme ka dhe në misionet të tjera diplomatike, gjë që pranohet nga Ministria e Jashtme.

Kjo gjendje, thuhet në këtë shkresë, nuk do të ndryshojë dot shpejt. Ilir Gjoni mendon se qeveria duhet të menaxhojë më mirë fondet publike dhe e ilustron këtë me vendimin e fundit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

“Edhe buxheti i ushtrisë që u tha se ka kapur 2%, pas anëtarësimit në NATO nuk është as 1%. Kujtoj edhe debatet tona në komision, për t’i rritur buxhetin SHISH-it, që të ushtrojë detyrën e tij kushtetuese”, është shprehur Gjoni.

“Nuk ka pasur ndonjëherë probleme me sigurinë, por sa për pamjen dhe nivelin e përfaqësimit të misioneve tona diplomatike, vërtet ka probleme”, tha Oketa.

Top Channel