Shqipëria, 3 javë pa sekrete?

28/10/2010 19:35

Gati 8 muaj më parë, në misionin tonë diplomatik në Nju Jork, humbi një kompjuter. Por jo një kompjuter dosido, por kompjuteri portabël që përdoret për komunikimin e klasifikuar mes Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme dhe misionit.

Për këtë, misioni njoftoi vetëm Ministrinë e Jashtme dhe nuk e kallëzoi incidentin as në shërbimin e sigurisë së OKB-së dhe as në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta “Shqip”. Pas kësaj, struktura të Kuvendit u vunë në lëvizje, për t’i kërkuar informacion Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Top Channel ka mundur të sigurojë këtë korrespondencë. Nga shkresa mësohet se më 4 mars, ambasadori ynë në Nju Jork, zoti Ferit Hoxha e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme me hollësi për atë që ai e cilëson “zhdukje” të kompjuterit portabël brenda zyrave të përfaqësisë sonë në Nju Jork.

Gati tre javë më vonë, Ministria e Jashtme, ia përcolli informacionin Drejtorisë së Shifrës në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Në vijim, specialistët e SHISH-it bllokuan celsat e komunikimit me kopjuterin e humbur.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Ministria e Jashtme u kërkoi edhe njëherë përfaqësive tona diplomatike të bëjnë kujdes.

Në përfaqësinë tonë në Nju Jork, në mungesë të një kasaforte, kompjuteri mbahej mbi tavolinën e punës dhe personi që e ka marrë mendohet të ketë hyrë në një moment kur në përfaqësi nuk ka pasur njeri.

Sipas Ministrisë së Jashtme, në këtë rast nuk janë respektuar disa nga rregullat dhe standartet e sigurisë, të përcaktuara në një udhëzim të Ministrisë të vitit 2007.

E megjithatë, po sipas Ministrisë, zhukja e kompjuterit nuk e kompromentoi standartin e sigurisë në komunikim, pasi kompjuteri bëhej i papërdorshëm nëse nuk futeshin kodet e sigurisë, kode që u shkatërruan tre javë më vonë nga SHISH-i.

Për zhdukjen e kompjuterit, dyshohen disa shërbime kundërspiunazhi, ku nuk përjashtohen fuqi të mëdha të lindjes, për motive që lidhen me NATO-n.

Që pas angazhimit tonë të parë në Irak, përfaqësitë tona diplomatike u vlerësuan si më të ekspozuara për cështje sigurie dhe u kjo u theksua pas anëtarësimit në NATO.

Por gjendja në përfaqësitë tona diplomatike është larg normave të NATO-s. Me kamera sigurie janë të pajisura vetëm disa përfaqësi; përfaqësia në Nju Jork nuk ka ende.

Ministria e Jashtme pohon se rritja e masave të sigurisë do të kërkojë kohë dhe në afate të parashikueshme, situata do të mbetet e pandryshuar.

Për momentin, vetëm përfaqësia jonë pranë NATO-s në Bruksel, ndodhet brenda perimetrit të sigurisë së Aleancës.

Disa përfaqësi, si për shembull në Paris, gjenden në apartamente, që janë përzgjedhur nisur nga cmimi më i ulët.

Për shkak të kushteve të tilla të sigurisë, ambasadori shqiptar Ferit Hoxha në korrespondencën e tij me Ministrinë e Jashtme, shkruante se misioni nuk mund të marrë apo të dërgojë informacione të klasifikuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA