Mbetjet, Bino: Lista e gjelbër, 55 elementë

27/10/2010 00:00

I ftuar në Top Show për të diskutuar mbi importin e mbetjeve, përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit, Taulant Bino mbrojti idenë për importin e mbetjeve që përfshihen në listën e gjelbër të hartuar nga qeveria si të domosdoshme për zhvillimin e bizneseve në industrinë e riciklimit.

Zoti Bino tha se në listën e mbetjeve përjashtohen lëndët e dëmshme për mjedisin. Ai përgënjeshtroi zërat se në vend do të importohen edhe materiale me përmbajtje radioaktive apo toksikologjike.

“Jemi në të njëjtin kuadër ligjor si në 2003 dhe nuk bëhet fjalë për një listë të lëndëve për t’u djegur, bëhet fjalë për një listë të gjelbër që mund të futen në Shqipëri për t’u përdorur nga industria e riciklimit. Bëhet fjalë vetëm për 55 elementë nga 434 që kanë mbrapa industrinë e riciklimit. Procesi është i centralizuar dhe i kontrolluar, nuk bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme, as radioaktive as toksike që kemi dëgjuar kohët e fundit”, deklaroi zoti Bino.

Por përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit u kundërshtua nga ambientalisti Lëvdosh Ferruni i cili tha se nuk bëhet fjalë për keqkuptime dhe se sipas tij, qoftë dhe një lëndë e vetme nga lista e mbetjeve nuk duhet importuar. Për zotin Ferruni edhe legjislacioni i BE-së konsiston në përqendrimin e riciklimit nga vendi prodhues duke mos u dhënë përparësi import-eksportit të mbtjeve.

“Nuk diskutohet për keqkuptime. Mbetjet janë të rrezikshme përgjithësisht. Konsiderohet jo e rrezikshme një mbetje që hyn në procesin e riciklimit brenda një standarti. Për mua edhe një mbetje të jetë në listë, jam kundër për importim. Është një parim që çdo shtet duhet të riciklojë mbetjet që prodhon vetë. Edhe legjislacioni i Bashkimit Europian konsiston në përqendrimin e riciklimit të mbetjeve tek vendet që e prodhojnë”, deklaroi ambientalisti Lëvdosh Ferruni.

Mendimi i ambientalistit Ferruni u kundërshtua nga përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit, Taulant Bino i cili tha se ministria dhe qeveria ka për detyrë të mbështesë këtë industri si një aset dhe jo thjesht një biznes.

“Nevoja ka të bëjë me mbështetjen e industrisë së riciklimit që për ne është një aset dhe jo thjesht biznes. Ministria e Mjedisit ka për detyrë të mbështesë industrinë e riciklimit dhe duhet të mbijetojë”, deklaroi Bino.

Në të njëjtën linjë me fjalën e Binos foli edhe përfaësuesi i shoqatës së ricikluesve, Vullnet Haka. Haka tha se mangësitë në legjislacion penguan zhvillimin e industrisë së riciklimit. Sipas tij Shqipëria nuk gjeneron dot aq mbetje sa të furnizojë industrinë e riciklimit.

“Industria e riciklimit nëpërmjet shoqatës ka vite që i kërkon qeverisë plotësimin e legjislacionit për të zhvilluar këtë industri. Shumë industri u zhvilluan në Shqipëri pas 2000 dhe vendi ynë nuk gjeneron dot mbetje të riciklueshme të mjaftueshme për të furnizuar këto biznese. Mbetjet e rrezikshme janë ndaluar me vendimin e vitit 2005 që e ka mbyllur këtë kapitull. Legjislacioni ka qenë i mangët dhe i paplotësuar, mungesë nga mosmiratimi i listës së gjelbër dhe nga mospjesëmarrja në Konventën e Bazelit”, deklaroi përfaqësuesi i shoqatës së ricikluesve, Vullnet Haka.

Top Channel