
Muaji prill i vitit të ardhshëm do të jetë koha kur qeveria shqiptare do të nisë dhe do të përfundojë regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, proces i cili ka rreth një dekadë që nuk është bërë në vendin tonë.
Burimet pranë INSTAT, institucioni që së bashku me Ministrinë e Teknologjisë dhe Inovacionit do të drejtojë këtë proces bëjnë me dije se procesi do të nisë zyrtarisht në terren më datë 2 prill të 2011-s dhe do të përfundojë në fund të këtij muaji.
Për koincidencë ose jo, prilli është edhe muaji i fushatës zgjedhore, për procesin lokal që pritet të mbahet në 8 maj dhe në këto dy muaj shqiptarët do të “rrëfejnë” jo vetëm detaje mbi të dhënat e tyre personale, por edhe partinë që kërkojnë t’i qeverisë.
Në kuadër të përgatitjeve paraprake për procesin, bëhet e ditur se janë planifikuar rreth 12 mijë anketues, të cilët brenda tri javëve do të marrin të dhënat e të gjithë shqiptarëve për t’i përpunuar dhe publikuar ato më pas. Në lidhje me këtë projekt, duket se palët kanë vendosur tetorin e këtij viti, domethënë këtë muaj për rishikimin dhe finalizimin e pyetësorit me grupet e interesit, ndonëse realisht ky proces negocimi nuk është parë. Më pas është vendosur që deri në muajin dhjetor të këtij viti do të bëhet edhe krijimi i komisioneve zonale në qarqe, të cilët do të hartojnë grupet e punës dhe do të përgatisin bazën logjistike për procesin e regjistrimit. Nga ana tjetër, deri në fundin e vitit 2010 është vendosur që të përfundojë edhe dixhitalizimi i hartave dhe do të përfundojë mbledhja e mjeteve teknologjike që duhen për këtë projekt.
Po kështu, nga stafi që po përgatit këtë proces të rëndësishëm ka menduar që paralelisht me procesin e përgatitjeve të vijojë edhe një fushatë publicitare kombëtare, e cila ka si synim informimin e qytetarëve mbi mënyrën sesi duhet ta plotësojnë formularin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Fushata informuese pritet të vazhdojë deri në fund të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave në vend.
Gjatë kësaj periudhe, mësohet se puna është përqendruar më shumë drejt bindjes së popullsisë rome që jeton në Shqipëri, që ajotë marrë pjesë në këtë proces regjistrimi. Mendohet se për herë të parë në vend edhe kjo popullsi do të japë të dhënat e sakta personale dhe gjithashtu ato të banimit. Puna e organizatorëve është përqendruar te kjo popullsi edhe për faktin se presioni për kujdesin ndaj tyre ka kohë që është shtuar nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët në shumë raste kanë qenë donatorë në projekte të ndryshme që përmirësojnë jetën e këtij komuniteti.
Procesi i përgatitjeve ka nisur disa muaj më parë dhe është ngritur edhe Komisioni Qendror i Regjistrimit i cili drejtohet nga ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo. Ajo që të bën përshtypje në këtë proces i cili po kryhet në Shqipëri pas 10 viteve është komunikimi dhe diskutimi i munguar me grupet e interesit. Nga ana tjetër ka qenë vetë shoqëria civile dhe grupet e interesit që disa herë janë mbledhur në tryeza të rrumbullakëta për të diskutuar dhe për të dhënë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë proces.
Top Channel