Ngjarjet e mëdha pa autor

26/10/2010 19:35

Vrasja e kryekomunarit të Tërthorës së Kukësit, Remzi Veseli i përngjan për nga mënyra e ekzekutimit vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi.

Vrasje e kryer në mbrëmje vonë, në errësirë përpara shtëpisë, çka i jep ekzekutorëve mundësi të mëdha për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Dyshimi në fakt mbetet nëse vrasësit e Veselit kanë operuar në mënyrë të tillë duke marrë si shembull atë të deputetit Xhindi, apo vrasjet janë një koincidencë për nga mënyra si ndodhën.

Por koinçidenca duket si e dyshimtë, po t’i shtosh faktin se një mënyrë e tillë ndodhi edhe me plagosjen e anëtarit e këshillit bashkiak të Vlorës, ndaj të cilët në orët e mbrëmjes së një dite dimri ju vendos tritol në makinë, në të njëjta kushte rrethanore dhe kohore me dy vrasjet.

Por ajo që ka lidhje me të trija ngjarjet është fakti se janë ngjarje pa autor.

Pa dyshim që vrasja e deputetit Xhindi mbetet ajo që rëndon më tepër në dosjet e ekspertëve të antikrimit në policinë shqiptare.

Edhe pse u angazhuan më të mirët, nuk pati rezultat. Duket se policia kriminale nuk mund të operojë dot me sukses si në vrasjet e tjera, kur viktima është një njeri me një post publik i çfarëdo lloj rangu qoftë, të ulët apo të lartë. Dhe në shumicën e rasteve motivet bashkë me kohën bëhen akoma edhe më të pazgjidhshme.

Por këtë rradhë për vrasjen e kryekomunarit, Ministria e Brendshme e ka përjashtuar nga motivet vrasjen për shkak të detyrës, por ajo nuk ka saktësuar se çfarë motive mund të ketë.

Policia me të njëjtat kanale punoi edhe në vrasjen e deputetit Xhindi, por nuk arriti dot të dalë në përfundimin edhe pasi kanë kaluar më shumë se 16 muaj.

Vetëm në rastet kur dy kryekomunarë janë qëlluar në mes të ditës dhe për grindje të momentit policia ka arritur të identifikojë autorët, si në rastet e plagosjeve në Frakull të Fierit dhe Blinisht të Lezhës.

Top Channel