Martin Camaj, “Nderi i kombit” pas vdekjes

26/10/2010 17:55

Presidenti i Republikës Bamir Topi dekoroi me urdhrin “Nderi i kombit” shkrimtarin Martin Camaj, pas vdekjes.

Sipas presidentit, Martin Camaj, kudo që shkoi, u shndërrua në shkollë letrare.

Ndikoi ndjeshëm mbi letersinë moderne të Kosovës, në thellimin e vetëdijes kombëtare tek arbëreshët e Italisë dhe me aktivitetin e tij shkencor, i dha shumë prestigj në botë albanologjisë.

Presidenti vuri në pah faktin se në sajë të Martin Camajt u themelua katedra e gjuhës shqipe në Mynih të Gjermanisë, vend ku zë fill tradita e albanologjisë dhe e hulumtimit të botës shqiptare.

Sipas presidentit, pamundësia e Camajt për t’u kthyer në atdhe ka kushtëzuar proçesin e tij krijues.

“Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe, – tha presidenti – nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje”.

Vepra e Camajt, sipas kreut të shtetit, është përpjekja elitare dhe shpirtërore njëkohësisht, për ta mbajtur gjithmonë pranë atdheun, duke e shndërruar në mit modern.

Top Channel