Kukës, vrasja e kryekomunarit

26/10/2010 21:00

Remzi Veseli, 40 vjeç, kryetar i komunës tërthorë përgjatë dy mandateve, është vrarë në pragun e shtëpisë së tij në momentin që ka zbritur nga makina për të hapur portën. (UPDATE)

Nga një distancë tepër e afërt autori ose ndoshta edhe autorët e kanë ekzekutuar 40 vjeçarin Remzi Veseli vetëm dy hapa larg portës kryesore të banesës së tij private.

Pasi e ka qëlluar me një plumb pistoletë në pjesën e poshtme të veshit, vrasësi nuk ka lëvizur nga vendi duke e qëlluar sërish në kokë për t’u siguruar në vdekjen e viktimës. Në të njëjtën kohë, vëllai i viktimës, i cili po ndiqte një ndeshje futbolli, ka dalë jashtë banesës pasi ka dëgjuar krismat duke gjetur të gjakosur 40 vjeçarin.

Duke shpresuar se mund ta shpëtonin nga vdekja, familjarët kanë vrapuar për në spital, por përpjekja ka rezultuar e kotë.

Në kartelën e vdekjes shënohet ora 21 pikërisht momenti kur u qëllua me pistoletë.

Sikurse e do tradita të motrat e Remzi Veselit, e qajnë atë në sallonin e shtëpisë, i vetmi që i rri në kokë të ndjerit nga meshkujt e shtepisë është vetëm nipi i tij.

Burrat e fisit presin ngushëllimet në një lokal pak metra më tej. Në krye të tavolinës vëllezërit dhe xhaxhallarët, vetëm tokin duart me të tjerët por s’dinë ç’emër t’i vënë asaj që ndodhi.

“Nuk dimë ç’të themi. Nuk e dimë çfarë ndodhi. Nuk kishim asnjë hasmëri”, thotë Bilbil Veseli, vëllai i viktimës.

“Është një vrasje në prag të derës. Kësaj i thonë të vrasin natën dhe të qajnë ditën”, shprehet xhaxhai i viktimës.

Një burrë është një ndër njerëzit e fundit që e pa të gjallë Remzi Veselin. Ata kanë qëndruar në një kafene se bashku me disa kushërinj të tjerë.

“Ishim së bashku në një kafene dhe nuk pati asnjë gjë të pazakont. Remziu ishte normal gjatë gjithë kohës”, thotë Dashnor Veseli, një kushëri viktimës.

Për shkak të pozicionit të viktimes ngjarja ka marrë vëmendjen maksimale të policisë së shtetit. Në Kukës kanë mbërritur edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtori luftës kundër krimit të organizuar Jashar Vreka, të cilët po kryesojnë hetimet e këtij ekzekutimit që trondit qytetin verior.

Megjithatë një ditë pas krimit nuk ka ende një piste për shkaqet dhe autorët, të paktën jo zyrtarisht.

Top Channel