Eurobondi, do shlyhen borxhet

26/10/2010 14:35

Pas shumë muajsh përgatitje, Shqipëria hyn më në fund zyrtarisht në tregjet ndërkombëtar të kapitalit, për herë të parë në historinë e saj.

Ministria e Financave njoftoi se e ka celur zyrtarisht ankandin e Eurobondit, përmes të cilit qeveria po kërkon të marrë 300-400 milionë euro borxh. Ankandi që  po udhëhiqet nga dy prej bankave më të njohura në botë për transaksionet e bondeve qeveritare, ‘GP Morgan’ dhe ‘Deutsche Bank’ pritet të përfundojë brenda javës.

Ministria e Financave deklaroi se pret një pjesëmarrje të lartë të investitorëve në ankand dhe shprehet optimiste se operacioni, i pari i këtij lloji për Shqipërinë do të përfundojë me sukses. Ministria saktëson se borxhi që do merren nga emetimi i Eurobondit nuk do të përdoret për të financuar deficitin buxhetor të këtij viti.

Qeveria ka përcaktuar që të gjitha paratë e eurobondit të përdoren për të shlyer borxhet ekzistuese. Pjesa më e madhe do të përdoren për të shlyer para kohe kredinë e shtrenjtë të rrugës Durrës-Kukës të marrë në maj të vitit të shkuar, ndërsa sasia e mbetur do të shkojë për të zëvendësuar borxhin e marrë në tregun vendas me bono afatshkurtra. Megjithëse autorizimi për Eurobondin arrin në 400 milionë euro, synimi i Ministrisë është të emetojë një sasi më të vogël deri në 300 milionë euro.

Top Channel