Juristët: “Beqja”, votimi nul

24/10/2010 15:00

Të shtunën, partia socialiste tha se votimi për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Beqja, është nul. Për ta ilustruar këtë, deputeti Fatmir Xhafaj nxori nga arkiva këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Më 21 tetor të vitit 2009, Gjykata Kushtetuese bëri interpretimin e nenit 78.1 të Kushtetutës. Që thotë se përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar, normalisht Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij.

Por si përcaktohet shumica e votave? Pas një arsyetimi të gjatë, si për çdo vendim që jep Gjykata Kushtetuese, në përfundim thuhet se “Vendimi i Kuvendit miratohet kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm”.

Luan Omari është jurist me eksperiencë. Për dy mandate rresht, nga viti ’98 deri në vitin 2006 ai ka qenë anëtar i Komisionit të Venecias dhe madje për një periudhë kohe, edhe një nga tre nënkryetarët e tij.

“Duhet gjysma + 1 e deputetëve. Nëse ka pasur të pranishëm 140 deputetë, do të duheshin 71 vota. Pra me 70 vendimi i është pavlefshëm dhe i pazbatueshëm”, deklaron jurisiti Luan Omari.

Ashtu sië duket edhe nga tabela elektronike e votimit, pavarësisht pretendimeve të socialistëve se deputeti Fatmir Toçi nuk mundi të votojë, në çdo rast duket se të pranishëm kanë qenë 140 deputetë. Në çdo rast, tani i mbetet Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse do ta pranojë për shqyrtim kërkesën e parlamentit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Beqja, apo do të vlerësojë se kërkesa nuk ka marrë numrin e nevojshëm të votave në seancë plenare dhe nuk do të pranojë, për këtë arsye, që ta shqyrtojë. 

Top Channel