Parashikimi i zymtë i FMN-së

20/10/2010 16:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se borxhi publik i Shqipërisë, sakaq në nivele shqetësuese do të vazhdojë të rritet edhe në dy vitet e ardhshme, pavarësisht zotimit të qeverisë për uljen e tij.

Në një raport të hollësishëm mbi ekonomitë europiane, FMN parashikon se diferenca mes shpenzimeve të qeverisë dhe të ardhurave që ajo do të mbledhë nga taksat do të jetë këtë vit 4.1 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto.

Ky nivel deficiti në kushtet e një rritje të ngadaltë ekonomike, sipas FMN, do e rrisë sërish borxhin publik të vendit nga 59.5 për qind që ishte në fund të 2009, në 60.6 për qind. Ekspertët e Fondit vlerësojnë, madje, se kurba ngjitëse e borxhit publik do të vazhdojë edhe në vitin 2011, kur pritet që ai të arrijë në rreth 61.9 për qind e PBB-së.

Vetë qeveria pasi ndoqi dy vitet e kaluar një politikë të deficiteve të larta, e vënë nën presionin e FMN është zotuar që deri në vitin  2013, që përkon dhe me fundin e mandatit të saj ta ulë borxhin në 54 për qind.

Por me ritmet e ngdalta të rritjes ekonomike, që priten gjatë viteve në vazhdim dhe  ecurisë së dobët të të ardhurave në buxhet, ulja e borxhit sipas ekspertëve do të jetë e vështirë.

Top Channel