Qeveria rikthen Eurobondin

18/10/2010 15:05

Qeveria shqiptare do të tentojë të dalë sërish në tregun ndërkombëtar për të marrë borxh në euro, përmes Eurobondit.

Pasi dështoi, në fillim të këtij viti, për shkak të krizës së borxheve në tregun ndërkombëtar, burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për Top Channel se qeveria do të rikthehet sërish në treg me të njëtin skenar. Atë të marrjes së një borxhi me afat 5-vjecar në shumën 300-400 milionë euro. Sipas burimeve ankandi do të tentohet në javën e fundit të këtij muaji, ose në ditët e para të nëntorit.

Qeveria ka vendosur që 200 milionë euro nga borxhi që do të merret me eurobondin do të përdoren për të shlyer kredinë e shtrenjtë të rrugës Durrës-Kukës. Ndërsa gjysma tjetër do të shkojë për të zëvendësuar borxhin afatshkurtër në lekë të marrë përmes bonove 3 mujore të thesarit. Emetimi i Eurobondit u planifikua që në fillim të këtij viti për të mbuluar nevojat e buxhetit për borxh, por edhe për të shlyer para kohe kredinë e shtrenjtë të marrë për rrugën Durrës-Kukës nga dy banka private, interesat e së cilës për vitin e parë duke përfshirë dhe komisionet arritën deri në 14.7 për qind.

Fillimisht qeveria planifikoi që ta merrte Eurobondin me interesa deri në 7.5 për qind, por pasi dështoi, ndryshoi marrëveshjen duke e rritur interesin deri në 8.5 për qind. Pak ditë më parë Ministria e Financave ka cuar në kuvend një draft të ri që ndryshon sërish marrëveshjen e eurobondit me dy bankat udhëheqëse, ‘GP Morgan’ dhe ‘Deutsche Bank’, por këtë herë ndryshimet nuk prekin termat financiare, por thjesht bëhen për qëllime juridike.

Top Channel