Udhëheqja e qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet mbi supet e zëvendësministrave, përkatësisht të partive që vijnë nga PDK-ja e Hashim Thacit ose që janë në koalicion më këtë parti.

Me largimin zv/kryeministrit Ramë Manajt dhe të gjashtë ministrave nga radhët e LDK-së, këto ministri sipas dispozitave ligjore në një kohë ende të pacaktuar do të udhëhiqen:

Ministria e Pushtetit Lokal nga Raif Elezit, zv.ministrit që vjen nga radhët e komuniteteve; Ministria e Jashtme nga zv.ministrja Vlora Citaku; Ministria e Shëndetësisë nga zëvendësministri Nemanja Vujovic.

Ndërkohë që për tri ministritë që i kanë edhe zv/ministrat nga LDK, si ajo e  Drejtësisë, Tregtisë dhe Industrisë dhe e Kulturës ende nuk janë caktuar emrat e rinj.

Për këtë arsye është mbajtur një takim i kryeministrit Hashim Thaci me zëvendëskryeministrin e deritanishëm Ramë Manaj.

Pas takimit është vendosur për krijimin e një komisioni qeveritar për dalje nga bllokada institucionale.

Komisioni qeveritar pritet të formohet të martën, sipas sekretarit të përgjithshëm të LDK-së Ramë Manaj, i cili deri të shtunën ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit në qeveri.

Ai tha se bëhet fjalë për një komision qeveritar ad-hoc, i cili do të marrë përgjegjësitë mbi detyrat e lëna përgjysmë nga ministrat e LDK-së.

Rrjedhoja më e dukshme e kësaj situate janë zgjedhjet, pikë ku dy partitë e ish-koalicionit përplasen, të jashtëzakonshme për PDK-në, por të parakohshme për LDK-në.

“Unë respektoj vendimin e kryetarit të Parlamentit. Ato janë shumë të qarta dhe duhet të përcillen në rrugë kushtetuese”, ka deklaruar kryetari i LDK, Fatmir Sejdiu.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi ka thënë se, qëndrueshmëria institucionale në vend do të mund të krijohej me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme deri para fundit të këtij viti.  

Në një intervistë për BBC, Krasniqi deklaroi se do të ishte mirë që të kishte një konsensus të përgjithshëm politik në Kosovë për të shkurtuar kohën e krizës politike, duke mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai tha se Kushtetuta nuk parasheh krijimin e qeverisë teknike dhe, sipas tij, i takon udhëheqësit aktual të koalicionit të prishur, kryeministrit Thaçi, të vendosë nëse dëshiron votëbesim në Kuvend.

Për të gjithë situatën e krijuar në vend Krasniqi ka fajësuar LDK-në se me vendimin për dalje nga koalicioni ka parë interesin partiak në vend të atij institucional, duke e sjellë vendin para zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe duke krijuar krizë.

Top Channel