Kontrabanda, Taci në prokurori

18/10/2010 19:45

Për kontrabandën e karburanteve, task forca në prokurorinë e Tiranës ka thirrur edhe presidentin e kompanisë “Taci Oil”, si aksioneri kryesor i “Armo”.

Rezart Taci u thirr në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni mbi hetimet që po kryen kjo prokurori pas akuzave që ngriti ish-ministri Dritan Prifti për kontrabandën e karburanteve.

Taci ka dëshmuar për më shumë se 1 orë e gjysmë në prokurori në lidhje me akuzat e ngritura në publik nga Prifti, por ai nuk dha asnjë deklaratë për mediat pas daljes së tij nga prokuroria.

Task forca e prokurorisë së Tiranës ka kryer disa veprime edhe në kompaninë “Armo”, që drejtohet nga Taci, ku është sekuestruar një mori dokumentacionesh në lidhje me hetimin që po kryhet.

Taci është personi i dytë publik që pyetet pas ish-ministrit Prifti. Hetimet për kontrabandën e naftës “Virgin” nisën javën që shkoi pas akuzave që Dritan Prifti bëri publike në emisionin “Top Story” në Top Channel.

Në fund të javës së kaluar prokuroria mori në pyetje edhe vetë ish-ministrin e Ekonomisë, i cili ka akuzuar disa persona që mbajnë poste të larta në administratë, përfshirë këtu nëndrejtorin e përgjithshëm të policisë, Agron Kulicaj.

Ndërkohë, Rezart Taci ka një proces ende të hapur në gjykatë për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, që kishte denoncuar në mjaft artikuj kreun e “Armo” për aferat me naftën “Virgin”.

Top Channel