Gjëndet i vrarë në pyll i riu

18/10/2010 20:00

Shkëlqim Nozli, 22 vjec, ishte larguar nga shtëpia rreth orës 10 të mëngjesit të kësaj të diele dhe familja e tij nuk dinte asgjë për fatin e tij, derisa rastësisht trupi u gjet i hedhur në shkurre në kilometrin e 22-të në Krrabë.

Por policia nuk dha asnjë njoftim zyrtar se kush është i riu, cfarë aktiviteti kishte ai më parë, apo a ishte person i skeduar, pavarësisht se këto të dhëna nuk përbëjnë sekret hetimor.

Referuar burimeve jozyrtare, mësohet se 22 vjecari ishte djalë i vetem. Ai është me origjinë nga Burreli dhe pavarësisht se gjëndja civile e tij ndodhej nën territorin që mbulon komisariati numër katër, ai së bashku me familjen e tij rezulton të jetë banor në afërsi të Kasharit, zonë që mbulohet nga komisariati numër 6.

I riu kishte pak kohë që ishte ndarë nga e fejuara, por burimet nuk saktësojnë nëse viktima ka patur në vijim konflikte me familjen e vajzës.

Të kontaktuar nga TCH për këtë krim të rëndë, drejtues të seksionit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit në policinë e Tiranës, së bashku me drejtues të tjerë të komisariatit që mbulon vendin ku u gjet viktima, deklaruan se nuk kishin dijeni për një ngjarje të tillë.

Burimet thanë se i riu pas largimit nga banesa nuk ka komunikuar me ndonjë nga të afërmit e tij, ndërkohë që trupi i tij është gjetur disa dhjetra metra larg aksit nacional Tiranë-Elbasan në Krrabë.

Burimet jozyrtare të grupit hetimor pohuan se ka dyshime që 22 vjecari të jetë rrëmbyer, të jetë vrarë me armë zjarri diku tjetër e mandej të jetë hedhur në një nga zonat me shkurre të malit të Krrabës, ku dhe u gjet nga banorë të zonës.

Paraprakisht policia nuk ka asnjë pistë dhe asnjë të dhënë për këtë ekzekutim, përvec të dhënave të mbledhura nga ekspertët në vendin ku u gjet trupi i Shkëlqim Nozlit.

Sipas policisë, ai ishte përfshirë në një konflikt për cështje tokash në Kashar. Megjithatë, asnjë version nuk është ende zyrtar.

Katër vjet më parë një 19 vjecar u rrëmbye dhe u vra nga tre bashkëmoshatarë të tij për nje borxh qesharak prej vetëm 15 mijë lekësh, ndërkohë që trupi i tij u gjet shumë larg vendit të krimit, i hedhur pranë depove ushtarake në afërsi të Dajtit.

Top Channel