Plehrat nga jashtë me vendim “sekret”

17/10/2010 20:35

Dukej sikur ishte ndaluar vite me parë, por Shqipëria ka importuar mbetje nga jashtë për përpunim dhe riciklim që nga viti 2003.

Me një Vendim të Këshillit të Ministrave të datës 04.12.2003, kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe Ministër i Mjedisit, Lufter Xhuveli thuhet se personat fizikë dhe juridikë mund të importojnë mbetje për t’i përdorur, përpunuar dhe ricikluar.

Këta persona mund të importojne mbetje në bazë të disa dispozitave të veçanta. Në vendim saktësohet se mbetjet e rrezikshme nuk lejohen të importohen.

Ky vendim ka qenë pak i njohur jo vetëm nga publiku, por edhe zyrtarë të kohës, drejtues të niveleve të dyta të Ministrisë së Mjedisit, të cilët tani hedhin dyshime lidhur me arsyet e miratimit të tij në vitin 2003.

Ricikluesit: Na duhen mbetjet

Ndërsa në vend kanë shpërthyer polemikat lidhur me importin e mbetjeve nga jashtë, Vullnet Haka, administratori i shoqërisë “Everest”, ku riciklohet lëndë plastike, është një prej personave që pranon se gjatë këtyre viteve ka importuar mbetje, për biznesin e tij nga vende si Greqia apo Italia.

“Dallimi është se që tani e tutje këtë veprim do ta bëjnë kompanitë që kanë investime në riciklim, investime të vërteta që kontrollohen nga organet kompetente. Kjo industri nuk ka vepruar me bazë ligjore të plotë. Në këtë moment në kemi pasaportën me të cilën mund të eksportojmë dhe importojmë nga vendet e BE-së, aktualisht Greqi dhe Itali”, deklaron administratori i shoqërisë “Everest”, Vullnet Haka.

Mbetjet e importuara nga jashtë kalojnë në doganë, dhe Ministria e Mjedisit informohet për llojin dhe sasinë e mbetjeve të importuara.

“Që në 2003 është bërë ligji për importin e mbetjeve urbane në Shqipëri, por në nuk mund të procedonim dhe bota nuk na njeh si shtet që riciklojmë dhe ne nuk marrim pjesë në organizmat ndërkombëtarë për faktin se ne nuk kemi të aprovuar nga shteti ynë listën e gjelbër. Ligji po bëhet dhe ne po lobojmë që këtë pjesë të organikeve ta kemi në koncesion nga qeveria për industritë e riciklimit sepse vetëm kështu ne mund të ngremë industrinë tonë të riciklimit”, deklaron kryetari i shoqatës së ricikluesve, Bardhyl Balteza.

Këto biznese theksojnë se u duhet të importojnë 70 % të lëndës së parë nga jashtë, pasi në vend nuk bëhet seleksionimi i mbetjeve dhe nuk ekziston infrastruktura e duhur.

 “Miliona euro. Imagjinoni sa kamiona duhen dhe sa paguajmë ne për transportin, ndërkohë që këto mund të ishin në Shqipëri, mund të rigjeneroheshin paratë e shqiptarëve dhe këto para mos dilnin jashtë”, shton më tej zoti Balteza.

Kostoja për grumbullimin e mbetjeve në vend dhe seleksionimin e tyre, do të ishte shumë më e ulët, por në Shqipëri nuk ekziston ende baza ligjore. Kjo ka sjellë edhe një pengesë në zhvillimin e tyre bizneseve, të cilat mund të përpunojnë mijra ton mbetje

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta