Meta në Fier: Të forcojmë LSI-në

16/10/2010 19:40

Jo rastësisht, pas konventës së LSI-së në Tiranë, Ilir Meta i ka zhvendosur takimet me elektoratin në Fier, në zonën prej nga doli deputet Dritan Prifti, tashmë i larguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Përpara zgjedhjeve lokale, Ilir Meta ka cilësuar si domosdoshmëri forcimin e strukturave të LSI-së edhe në Fier, pasi sipas tij, prioriteti i partisë që ai drejton është konsolidimi i proceseve integruese të vendit.

“Që këto procese të mos cënohen nga axhendat dhe inatet personale të politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët për interesat e tyre nuk duan t’ia dinë aspak për interesat e një vendi të tërë, na duhet një LSI më e fortë, një LSI më e organizuar dhe që jeton me shqetësimet e qytetarëve dhe anëtarëve të saj”, ka deklaruar Meta.

Zoti Meta deklaroi në Fier se arritja më e madhe e një viti bashkëqeverisje me Partinë Demokratike është liberalizimi i vizave, pavarësisht se koalicioni i integrimit është përballur, sic tha Meta, me veprimet e një lidershipi të papërgjegjshëm opozitar.

“Por ne jemi të vendosur që t’i themi jo politikës konfrontuese për qëllime të ngushta dhe axhenda personale, sepse shqiptarët sot kanë një axhendë të përbashkët dhe ajo është axhenda e integrimit europian”, ka theksuar Meta.

Top Channel