Brokaj: Zgjedhjet, e vetmja rrugë

15/10/2010 08:15

Pas deklarimeve të para dy ditëve të republikanit të njohur, Sabri Godo, për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme, një tjetër zë i njohur i politikës apelon të njëjtën gjë.

Sabit Brokaj, ish-ministër në disa kabinete, deputet dhe politikan aktiv i të majtës për 20 vjet deklaroi dje se zgjidhja e situatës së tanishme është vetëm ritestimi elektoral.

“Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje. Madje, unë mendoj se është vonuar në këtë drejtim. Nuk mund të zgjidhen problemet me zvarritje të tyre dhe me shtyrjen e tyre”, tha Brokaj.

Ai ka nënvizuar nevojën e daljes nga situata e vështirë që ka mbërthyer vendin dhe që po i faturon atij mjaft kosto.

Sipas tij, një arsyetim i tillë ka zënë vend tanimë si në linjën zyrtare të Partisë Socialiste dhe opozitës që ajo bashkon në vetvete, por edhe në disa drejtime brenda të djathtës e cila me qeverinë e tanishme, ose e sheh veten të papërfaqësuar me një të ardhme të mbyllur, ose si një investim i dështuar i saj që me imazhin e ndërtuar rrezikon ta lërë atë jashtë pushtetit për shumë kohë.

“Në një mënyrë, ecuria e qeverisjes së vendit nga Sali Berisha përbën një problem të vërtetë edhe për rotacionin e drejtimit të vetë Partisë Demokratike, e cila prej 20 vitesh ndodhet në duart e një njeriu të vetëm”, theksoi Brokaj.

“Por emri i Kryeministrit aktual ngjan të jetë shumë shqetësues dhe gati sinonim i përfytyrimit të zgjedhjeve si guerilje e pashpallur, edhe për të majtën që vuan aktualisht statusin e opozitës edhe për shkak të të panjohurave që lindën në 28 qershor 2009”, nënvizoi ai.

Brokaj ka qenë shumë i qartë në këtë drejtim teksa ka përjashtuar si dy gjëra të pamundura me njëra–tjetrën zgjedhjet e lira dhe të rregullta me Sali Berishën drejtues qeverie dhe indirekt administrator i tyre.

Top Channel