Londër, ekspozitë e piktorëve shqiptarë

14/10/2010 15:45

Dy artistë shqiptarë kanë hapur ekspozitat e tyre vetiake në Londër duke tërhequr vëmendjen e artdashësve përfshi atë të kritikës.

Me mbështetjen e ambasadës shqiptare, punimët e Adrian Pacit janë ekspozuar në galerinë Bloomberg Space, dhe ajo e Endri Kosturit në Galerine Lenoks.

Për Pacin kjo ekspozitë në Londër është paraqitja e dytë në Angli, pas suksesit në bienalen e Uellsit disa muaj më parë.

I lindur në Shqipëri por i rritur në Itali, Endri Kosturi nëpërmjet ekspozitës të titulluar “Unëiped ëindoë”  tenton të paraqesë një ndërthurje të poezisë që ai shkruan me inspirimin që pati kur vizitoi ballkonin e Romeos dhe Zhuljetës në Verona.

“Piktura për mua është një dicka e thjeshtë. Të gjeturit e një dritareje duke lejuar shpirtin të flasë me zemrën  në mënyrë për të shprehur emocionet e vërteta dhe jetën.  Kjo është e vërteta e pikturës” thotë Kosturi.

Megjithëse ka eksperimentuar duke përdorur teknika të ndryshme  pikturimi, Endri Kosturi thotë se ai gjithmonë i kthehet të pikturuarit të mureve, ballkoneve dhe dritareve.

Ndërsa kritikja britanike Libby Anson shkruan se pikturat e tij komunikojnë përmes një “martese” mes ngjyrave dhe poezisë duke sjellë pasion dhe romancë.

Zef Mazi ambasador i Shqipërisë në Londër,  thotë se të tilla ekspozita kanë rëndësi të madhe për vendin tonë dhe imazhin e tij, që të kemi sa më shumë përfaqësime të tilla në fushën e artit dhe të kulturës.

“Artistët shqiptarë janë me të vertetë të vlerësuar, si nga publiku  ashtu edhe nga kritika. Unë jam shumë i kënqaur që brenda dy ditëve në Londër hapen dy ekspozita, duke vijuar prezantimin e artit te bukur shqiptar ne Britani” thekson ambadori Mazi.

 

Top Channel