Bruksel, NATO diskuton strategjinë e re

14/10/2010 20:30

Për herë të parë ministrat e Mbrojtjes dhe ata të Punëve të Jashtme të 28 vendeve anëtare janë mbledhur bashkë në selinë e NATO-s në Bruksel, për të biseduar mbi konceptin e ri strategjik të Aleancës, që pritet të miratohet në samitin e Lisbonës, duke ndryshuar atë të meparshmin, të miratuar në 1999-ën.

Qëllimi i Aleancës, sic shpjegoi dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Rasmussen, është që të jetë më fleksibël dhe e përgatitur për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja si sulmet e mundshme raketore, apo kompjuterike, por duke ruajtur si parim kryesor mbrojtjen e territorit dhe popullatës së vendeve anëtare.

“Riafirmimi i artikullit 5 është arsyeja përse ne jemi në NATO. Edhe mbrojtja raketore është e rëndësishme, pasi ajo përbën siguri për të gjithë anëtarët. Nga kjo përfiton edhe Shqipëria, prandaj ne e përkrahëm. Nuk flitet për instalime në vendin tonë, por do të jemi përfitues”, ka deklaruar ministri shqiptar i Mbrojtjes, Arben Imami.

Pas samitit të Lisbonës, Imami deklaroi se do të rikonceptohet edhe roli i ushtrisë shqiptare, për të përballuar më mirë krizat dhe emergjencat në vend, por dhe duke shfrytëzuar më mirë kapacitetet njerëzore dhe financiare tek forcat e armatosura.

“Menjëherë pas Lisbonës ne do fillojmë rishkruarjen e dokumentave tona strategjike. Ta rikonstruktojmë ushtrinë tonë, në vecanti këmbësorinë”, ka shtuar Imami. “Tresim dhjamin, por forcojme muskujt” mbetet batuta e përsëritur e sekretarit të përgjithshëm Rasmussen që pas marrjes së kësaj detyre, për mirëmenaxhimin e buxhetit të Aleancës.

Por, ndërsa shumica e vendeve anëtare kërkojnë prej 1 viti të reduktojnë shpenzimet për NATO-n, Shqipëria garanton se nuk do të ndryshojë buxhetin e përcaktuar prej 2% të GDP-së.

Top Channel