Shkodra, me planifikim strategjik deri në 2015

13/10/2010 08:15

Autoritetet vendore të Qarkut të Shkodrës dhe aktorë të tjerë që kontribuojnë në zhvillimin e rajonit prezantuan dje nisjen e procesit të planifikimit strategjik për Qarkun e Shkodrës.

Ky proces mbështetet nga programi i PNUD-it, “Art Gold 2” dhe Agjencia Lokale e Zhvillimit Ekonomik, “Teuleda”. Planifikimi Strategjik është një proces me pjesëmarrje të gjerë gjatë të cilit institucionet, subjektet private, shoqëria civile dhe qytetarët e Shkodrës do të punojnë së bashku për të përcaktuar rrugët për zhvillimin e rajonit.

Gjithashtu ai përfaqëson kuadrin referues për të gjitha projektet dhe iniciativat që ndërmerren duke i orientuar ato drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta, deri në vitin 2015. “Hartimi i planit strategjik do të ketë impakt të konsiderueshëm për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, duke u fokusuar te sektori i turizmit, i cili deri më sot është zhvilluar në mënyrë sporadike.

Nga ana tjetër, ky është një proces demokratik dhe gjithëpërfshirës dhe Qarku i Shkodrës duhet të ketë strategjinë e tij të turizmit, ku çdo grup interesi, njësi vendore apo biznes, të ketë firmën e vet mbi këtë planifikim”, tha kryetari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi. Programi i PNUD, “Art Gold 2” do të asistojë Qarkun e Shkodrës në menaxhimin e procesit të planifikimit strategjik.

“Ne nuk do të prodhojmë një strategji që të flejë nëpër sirtarë, por do t’i shtojmë vlerë përmes këtij procesi Qarkut të Shkodrës”, deklaroi drejtuesi i programit “Art Gold 2” në Shqipëri, Luigi Cafiero. Programi “Art Gold 2” në Shqipëri si pjesë e rrjetit Global të Iniciativës ART, ka për qëllim të promovojë mirëqeverisjen dhe zhvillimin vendor ndërmjet aktorëve dhe autoriteteve vendore. Programi “Art Gold 2” në Shqipëri financohet nga qeveria italiane.

Procesi i Planifikimit Strategjik i ka fillesat në shkurt 2010 në kuadër të programit “Art Gold 2” të PNUD dhe do të drejtojë në muajt e ardhshëm zbatimin e planit strategjik, për të cilin është rënë dakord me të gjithë aktorët. Gjatë procesit do të identifikohen burimet dhe do të zbatohen iniciativa që përmirësojnë cilësinë e jetesës në rajonin e Shkodrës dhe Vlorës, dy zonat ku operon projekti.

Top Channel