Balla: Prokuroria të nisë hetimet për Kulicajn

13/10/2010 12:55

Deputeti Taulant Balla i ka bërë sërish thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet për përfshirjen e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të policisë Agron Kulicaj në kontrabandë nafte.

“Dje për të tretën herë radhazi Dritan Prifti, Ministër i Ekonomisë në këtë Qeveri deri në fillim të shtatorit, rishprehu akuzat dhe dëshmitë për kontrabandën e naftës vergin ndaj ish bodigardit të Sali Berishës dhe zëvendës drejtorit aktual të policisë së shtetit Agron Kuliçaj. Këtyre akuzave dhe dëshmive tepër të rënda iu shtua dje dhe pohimi i kreut të doganave se aktualisht në Shqipëri ekziston një super-kontrabandë nafte”, tha në deklaratën e tij Balla.

Deputeti socialist theksoi se “është momenti që prokuroria shqiptare të hedhë dritë dhe të zbardhë edhe akuzat dhe dëshmitë e tjera të Dritan Priftit për vepra penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm apo korrupsionit aktiv të mistrave të tjerë të Qeverisë së Sali Berishës.

“Ne socialistët i themi qytetarëve shqiptarë se gjithcka po del në dritë nga këto dëshmi të tmerrshme, janë konfirmimi i arsyeve se pse Sali Berisha vodhi zgjedhjet më 28 qershor”, tha Balla.

Top Channel